Albion Rrahmani vendosi derbin e madh rumun dhe i bëri të gjithë për vete
Albion Rrahmani në qendër të sulmit, Ermal Krasniqi në të djathtë. Pas tyre Florent Hasani. Treshja shqiptare pati tjetër ndeshje të madhe për Rapid Bukureshtin. Në derbin e zjarrtë lokal ndaj FCSB, ish-Steaua Bukureshti, Rapidi dominoi plotësisht dhe fitoi 4:0, të shtunën mbrëma. Rrahmani kishte dy gola e një asistim për Krasniqin. Krasniqi kishte një gol e një asistim mjeshtëror për Rrahmanin. Hasani ishte pjesë e aksioneve të rrezikshme. Dhe Rapidi “shkeli” liderin e klasifikimit në kampionatin rumun për ta hapur garën për titull.
Tani gara për titull të Rumanisë vazhdon në plejof, ku janë edhe dhjetë xhiro. Dhe dallimi mes skuadrave FSCB dhe Rapid Bukureshti është vetëm katër pikë.
“Rrahmani sulmon hapësirat shumë mirë. Lëviz mes linjave, kjo u pa te goli i katërt. Për mua ai është lider, lojtari më i rëndësishëm i Rapidit. Lojtari më i rëndësishëm”, ka thënë ish-reprezentuesi i Rumanisë, Ilie Dumistrescu.
You can skip this ad in 4
Advertisement
Derbi i zjarrtë është zhvilluara para plot 43 mijë shikuesve. Dhe shqiptarët ishin protagonistët kryesorë. Lojtar i ndeshjes u vlerësua Rrahmani, që tani ka 13 gola në 15 paraqitje në kampionatin rumun.
Rrahmani pas ndeshjes ka festuar me motrën e tij. Lidhjen me familjen e përmend thuajse çdo herë.
“Ishte ndeshje e shkëlqyer. Dua të falënderoj tifozët. Ishte festë për të gjithë ne, kemi festuar së bashku. Kam luajtur shumë mirë, kam dhënë 100 për qind. Kemi merituar fitoren dhe kaq gola dallim, ndërsa kemi humbur edhe mundësi të tjera”, ka thënë Rrahmani.
Ai kishte lëndim të rëndë në mes të kampionatit, por u kthye me sukses të plotë. Ka thënë se këmbën e ka mirë dhe se fizikisht është në gjendjen e duhur.
“Fati im është familja. Kam talentin nga babai im, që po ashtu ishte futbollist. Ushtroj shumë me babanë. Mësoj shumë nga trajneri Bergodi dhe kam mësuar edhe nga trajnerët e tjerë”, ka thënë Rrahmani.
Ai ka paralajmëruar se Rapidi do të luftojë për titull në Rumani.
“Kaloj shumë kohë me Krasniqin dhe kjo më ka ndihmuar që të kuptohemi më mirë me të”, ka shtuar sulmuesi kosovar.
Nëse kosovarët vazhdojnë me këtë formë, Rapidin e pret garë shumë interesante për titull të kampionit, ndonëse jo shumë vjet më parë ishte vetëm në nivelin e katërt të futbollit rumun.
