Tifoz i Manchester Unitedit hap ‘GoFundMe’ për transferimin e Carlos Balebas nga Brightoni
Një tifoz i Manchester Unitedit ka ndërmarrë një iniciativë të pazakontë në përpjekje për ta ndihmuar klubin e tij të zemrës në afatin kalimtar. Ai ka hapur një faqe në platformën ‘GoFundMe‘, me synimin për të mbledhur 120 milionë funte për transferimin e mesfushorit të Brightonit, Carlos Baleba.
Sipas të përditshmes The Athletic, Manchester United tashmë ka nisur kontaktet me klubin nga jugu i Anglisë përmes ndërmjetësuesve, duke e vlerësuar Baleban si objektivin kryesor në mesfushë për këtë verë. 21-vjeçari nga Kameruni, i cili ka pasur një sezon të suksesshëm në Premier League me 34 paraqitje dhe 3 gola, shihet si një prurje e mundshme për të forcuar repartin qendror të ekipit të Ruben Amorimit.
Megjithatë, përkundër interesimit, United mund të përballet me vështirësi financiare, sidomos pas transferimeve të shtrenjta të Matheus Cunhas dhe Bryan Mbeumos, përkatësisht për 62.5 milionë dhe 71 milionë funte, që kanë ngushtuar hapësirën e klubit për të lëvizur brenda rregullave të Fair Play-it Financiar. Situata është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të mungesës së shitjeve në këtë afat.
Në këtë kontekst, një tifoz – që sipas mediave britanike quhet Zack Oaten – ka vendosur të hapë faqen për mbledhje fondesh, me një përshkrim emocional e të përsëritur: “Na duhet kjo, na duhet kjo, na duhet kjo…”. Deri më tani, vetëm 5 funte janë mbledhur nga një donator i vetëm.
Sado simbolike apo ironike që të duket, nisma ka tërhequr vëmendje për shkak të absurditetit të saj. Platforma GoFundMe ka pasur fushata shumë të suksesshme më parë – më e madhja duke mbledhur afro 34 milionë funte për fondin amerikan të ushqimit – por një shumë si ajo që kërkohet për Baleban mbetet e paarritshme në këtë kontekst.
Në anën tjetër, transferimi i sulmuesit të RB Leipzigut, Benjamin Sesko, është afër finalizimit dhe do ta çojë shpenzimin total të Unitedit këtë verë në afro 200 milionë funte – vetëm pas Liverpoolit dhe Chelseat në rang listën e shpenzimeve në Premier League.
Pas konfirmimit të Seskos, drejtuesit e klubit, Jason Wilcox dhe Omar Berrada, pritet ta përqendrojnë vëmendjen te përforcimi i mesfushës, por për të realizuar këtë, United do të duhet të shesë disa nga lojtarët që nuk janë më në planet e trajnerit Amorim, përfshirë këtu edhe emra të papritur si Alejandro Garnacho, i cilësuar si “i panevojshëm” nga tekniku portugez.
Në fund, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe entuziazmit të tifozëve, mbetet për t’u parë nëse Carlos Baleba do të zbarkojë në “Old Trafford” gjatë kësaj vere – me apo pa ndihmën e një ‘GoFundMe’-je.
