April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

FFK reagon për banderolën e tifozëve polakë: E turpshme dhe e papranueshme

Federata e Futbollit e Kosovës e ka dënuar ashpër shfaqjen e një banderole provokuese dhe të papranueshme nga tifozët e Lech Poznań në ndeshjen e mbrëmshme të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.

Gjatë kësaj ndeshje, në tribunën e tifozëve polakë u shfaq një parullë me mesazhin “Kosova është Serbi”, ndërsa klubi serb më pas e falënderoi publikisht Lech Poznań-in dhe tifozët e tij për këtë veprim, e që e quajti “mbështetje”.

“Federata e Futbollit e Kosovës i cilëson këto akte si provokim të rëndë politik, të turpshme e të papranueshme në një ngjarje sportive dhe shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, e të cilat ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume. Këto janë sjellje që nuk i shërbejnë futbollit dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit sportiv”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se FFK, menjëherë pasi ka vërejtur një shkelje të tillë, ka nisur procedurën e paraqitjes së ankesës zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań, përgjegjës për sjelljen e tifozëve të tij, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për deklaratat publike që nxisin dhe legjitimojnë mesazhe kundër shtetit të Kosovës.

“FFK, si anëtare e UEFA-s, mbron dhe promovon vlerat që futbolli duhet të mbetet jashtë provokimeve politike dhe duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo përçarjeje, por kërkon me ngulm që këto parime të mbrohen edhe nga federatat tjera anëtare”, thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *