Simeone pas humbjes në start: Një rezultat i dhimbshëm që duhet të na shërbejë si mësim
Atletico Madridi e ka nisur edicionin e ri të La Ligas me humbje. Skuadra e Diego Simeones u mposht 2:1 nga Espanyoli, në një ndeshje ku madrilenët patën periudha të mira loje, por u ndëshkuan shpejt pas gabimeve vendimtare.
Kjo ishte hera e parë që trajneri argjentinas regjistron humbje në javën e parë të kampionatit spanjoll. Pas ndeshjes, Simeone e pranoi dhimbjen që solli rezultati, por tha se përvoja duhet të shërbejë si leksion për vazhdimin e sezonit.
“Rezultati na dhemb, sepse donim një nisje ndryshe. Por mendoj se ky duel do të na vlejë për të nxjerrë mësime. Jemi ende në fillim të sezonit dhe ka gjëra pozitive që duhet t’i mbajmë. Futbolli është i tillë: ata shënuan nga një situatë pa top, e pastaj menjëherë e kthyen në 2:1, dhe ne mbetëm pa asgjë”, tha Simeone.
Ai foli edhe për menaxhimin e ndeshjes dhe zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë.
“Menaxhuam mirë deri te goli. Pastaj deshëm të sillnim freski me lojtarë të rinj. Almada, Álex e Johnny më pëlqyen. Askush nuk dëshiron të fitojë më shumë se unë”, u shpreh trajneri.
Simeone minimizoi reagimin e Julian Alvarez ndaj zëvendësimit, duke thënë se një gjë e tillë është pjesë e lojës.
“Është normale. Të gjithë zemërohemi, edhe në ndeshje miqësore. Ai po bënte një paraqitje të mirë”, tha ai.
Në fund, trajneri argjentinas theksoi se Atletico tregoi karakter deri në minutën e 60-të, por fitorja mbetet e vetmja gjë që vlen.
“Ekipi luajti mirë deri në atë moment, me intensitet dhe me shpirt gare. Por nuk mund të jem i kënaqur me një humbje. Rezultati na dëmton, por do të na ndihmojë të rritemi”, përfundoi Simeone.
