April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

Guardiola: Edhe vjet e nisëm me vrull të madh, por është vetëm ndeshja e parë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka theksuar se skuadra e tij duhet të zvogëlojë numrin e lojtarëve në dispozicion deri në fund të merkatos së verës. Pas fitores bindëse 4:0 ndaj Wolverhamptonit në xhiron e parë të Premier Leagues, Guardiola ka lënë të kuptohet se përveç portierit Ederson dhe mesfushorit Savinho, të cilët mbetën jashtë skuadrës, mund të ketë edhe largime të tjera deri më 1 shtator.

“Nuk dua t’i lë lojtarët në shtëpi. Nuk është e shëndetshme dhe nuk mund të krijosh një atmosferë të mirë për të garuar. Të gjithë duhet të ndiejnë se mund të luajnë dhe të ndihmojnë ekipin. Në dy javët e ardhshme do të flasim me lojtarët, me agjentët e tyre dhe do të gjejmë një zgjidhje”, tha Guardiola.

Duke komentuar startin me fitore të thellë, ai kujtoi se edhe edicionin e kaluar City e nisi me vrull të madh.
“Edhe sezonin e kaluar e filluam me uri dhe energji. Nuk kam asnjë ankesë për sjelljen e lojtarëve në stërvitje. Është vetëm ndeshja e parë dhe kemi ende shumë pikë për të luajtur”, deklaroi spanjolli.

Guardiola tha se ishte i kënaqur me pjesën e parë ndaj Wolves, por jo me pjesën e dytë.
“Qëndrimi dhe shumë gjëra ishin të mira, por në pjesën e dytë ata ishin më të mirë në disa momente. Është mirë të përmirësohemi duke fituar 4:0”, u shpreh ai.

Trajneri vlerësoi veçanërisht paraqitjen e prurjeve të reja.
“Të gjithë lojtarët e rinj ishin mbresëlënës. Tijjani ishte një nga lojtarët më të mirë në Serie A, ai ka një ritëm të jashtëzakonshëm”, tha Guardiola.

Në fund, ai pranoi se skuadra ende nuk është në nivelin maksimal, pasi nuk pati shumë ndeshje miqësore gjatë parasezonit.
“Gjërat ishin shumë të mira në pjesën e parë, ndërsa në të dytën humbëm shumë. Por kjo është normale në fillim të sezonit”, përfundoi Guardiola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *