Lukaku rrezikon të humbasë Botërorin, Napoli detyrohet të hyjë në merkato
Në Napoli, shqetësimi rreth gjendjes shëndetësore të Romelu Lukakut po rritet dita-ditës. Sulmuesi belg pësoi një dëmtim serioz në ndeshjen miqësore ndaj Olympiacosit dhe ekzaminimet mjekësore pranë “Pineta Grande Hospital” zbuluan një “lezion të shkallës së lartë” në muskujt e kofshës së majtë. Termi mjekësor, në fakt, përkthehet në një këputje muskulore që e vë në dilemë vazhdimësinë e sezonit të tij.
Klubi ka konfirmuar se Lukaku ka nisur procesin rehabilitues, por së shpejti do të vendoset nëse do të ndiqet terapia konservative apo ndërhyrja kirurgjikale. Në rast operacioni, rikthimi i tij në fushë pritet të shtyhet për 4 deri në 5 muaj, duke e mbajtur jashtë deri në janar të vitit 2026. Por edhe terapia konservative, megjithëse më e butë, fsheh rrezikun e zgjatjes së mungesës nga 2 deri në 7 muaj, pa garanci të plotë shërimi. Në rast dështimi, operacioni do të ishte i pashmangshëm dhe Lukaku do të rrezikonte të humbiste pjesën më të madhe të sezonit, madje edhe Botërorin e vitit 2026.
Vendimi për trajtimin e sulmuesit belg pritet të merret në orët e ardhshme, në konsultim mes lojtarit dhe klubit.
Në anën tjetër, drejtuesit e Napolit – De Laurentiis, Conte dhe drejtori sportiv Manna – po merren me emergjencën që ka hapur ky zhvillim në repartin ofensiv. Aktualisht, e vetmja alternativë në qendër të sulmit është Lorenzo Lucca, i cili pritet të debutojë në ndeshjen e parë të kampionatit më 23 gusht ndaj Sassuolos.
Me vetëm 13 ditë deri në mbylljen e merkatos, Napoli është hedhur në kërkim të një sulmuesi të ri. Por gjetja e profilit të duhur në këtë fazë të tregut duket një mision i vështirë për kampionin aktual të Italisë.
