Rodrygo afër Liverpoolit pas marrëveshjes për kushtet personale
Sulmuesi brazilian i Real Madridit, Rodrygo Goes, është pranë transferimit në Liverpool, pasi ka arritur marrëveshje për kushtet personale me klubin anglez. Mediat ndërkombëtare raportojnë se “The Reds” tashmë janë duke përgatitur ofertën e parë zyrtare për madrilenët.
Sipas “ESPN Brasil”, drejtuesit e Liverpoolit kanë intensifikuar bisedimet me përfaqësuesit e Rodrygos pas dështimit për ta transferuar Alexander Isak nga Newcastle United, që refuzoi një ofertë prej 120 milionë eurosh. Rodrygo ka dhënë miratimin për një marrëveshje të përkohshme me klubin nga “Anfield”.
Gazetari spanjoll, Siro Lopez, ka theksuar se lojtari e ka aprovuar një ofertë joformale për kushtet personale dhe se Liverpooli është i gatshëm të nisë diskutimet zyrtare me Real Madridin për çmimin e kartonit të tij.
Rodrygo, i cili ka kontratë afatgjatë me Realin, thuhet se po shqyrton largimin nga “Santiago Bernabeu” pas konkurrencës së ashpër në repartin ofansiv, ku gjatë verës janë bërë edhe disa përforcime të reja.
Interesim për sulmuesin 23-vjeçar kanë shprehur edhe Arsenal dhe Tottenham, por Liverpool duket se ka hedhur hapin e parë konkret për transferimin e tij.
Nëse dy klubet arrijnë marrëveshje për shumën e transferimit, Rodrygo mund të bëhet përforcimi më i madh i Liverpoolit në këtë afat kalimtar veror.
