Rashford ende pa u regjistruar nga Barcelona: Nuk jam i shqetësuar
Barcelona ende nuk e ka regjistruar Marcus Rashfordin në La Liga, pavarësisht se sulmuesi anglez ka nënshkruar një huazim njëvjeçar nga Manchester United me opsion blerjeje.
Arsyeja për vonesën është kufiri i pagave i vendosur nga La Liga, të cilin katalanasit duhet ta respektojnë për të regjistruar kontratën e Rashfordit.
Vetë lojtari është treguar i qetë për situatën. Në një prononcim për të përditshmen spanjolle Marca, Rashford u shpreh: “Nuk jam i shqetësuar për pagën time. Mendoj se është një çështje që klubi duhet ta zgjidhë dhe jam i sigurt se do të ndodhë. Unë jam i përqendruar te stërvitjet dhe të jem gati për fillimin e sezonit.”
Ai foli edhe për përshtatjen e tij me skuadrën katalanase: “Ishte një parasezon i mirë dhe jemi të përgatitur për fillimin e kampionatit. Jam integruar mirë dhe po përshtatem me ekipin dhe trajnerin. Mund të luaj në disa pozita dhe të shënoj gola nga zona të ndryshme të fushës. Gjithçka është çështje adaptimi. Shpresoj të bëjmë një hap përpara këtë sezon dhe të synojmë fitimin e Ligës së Kampionëve.”
Rashford shtoi se konkurrenca në skuadër është e lartë, por kjo nuk e ka befasuar: “Ka shumë lojtarë të mëdhenj këtu, por këtë e dija edhe para se të vija. Cilësia është shumë e lartë dhe njësoj edhe intensiteti. Këtë duhet ta mbajmë gjatë gjithë sezonit.”
Në pritje të zgjidhjes së situatës nga drejtuesit e Barcelonës, Rashford vijon përgatitjet për debutimin e tij në fanellën blaugrana.
