Fitore e madhe e Prishtinës, ia shuan shpresat Ballkanit për titull
Prishtina ka arkëtuar tre pikë të mëdha në ndeshjen derbi të javës së 32-të në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur kampionin në fuqi, Ballkanin, me rezultat 1:0.
Sfida u zhvillua të shtunën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku skuadra nga kryeqyteti tregoi lojë të disiplinuar dhe efektive, ndërsa fitoren e siguroi në minutat e fundit të takimit. Golin vendimtar e realizoi Leotrim Kryeziu në minutën e 86-të.
Me këtë fitore, Prishtina i largohet zonës së barazhit dhe tashmë ka 43 pikë në vendin e gjashtë, dy më shumë se Dukagjini që gjendet në pozitën e shtatë.
Në anën tjetër, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 57 pikë dhe me këtë humbje i zbehen ndjeshëm gjasat për të mbrojtur titullin. Lider i Superligës vazhdon të jetë Drita me 66 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Derisa kanë mbetur edhe katër javë deri në përfundim të kampionatit, gara për titull dhe pozitat evropiane vazhdon të jetë tejet interesante.
