November 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  
November 19, 2026

Vidarsson: Talentet e Kosovës po zhvillohen sipas praktikave më të mira holandeze

Kampi Nacional i FFK-së në Hajvali këtë javë është nikoqir i një punëtorie me ekspertë të FIFA-s dhe përfaqësues të klubit holandez FC Groningen, me fokus në avancimin e proceseve të identifikimit dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj.

Arnar Vidarsson, udhëheqës i programit FIFA Talent Development Scheme (TDS) për Kosovën, në një intervistë për faqen zyrtare të FFK-së ka shpjeguar aktivitetet dhe objektivat e kësaj punëtorie, e cila përfshin planet individuale të zhvillimit, video-analizën dhe hartimin e modeleve të lojës për ekipet kombëtare të grupmoshave.

“Ditët e fundit kemi diskutuar për identifikimin e talenteve dhe profilizimin e lojtarëve brenda ekosistemit të futbollit të Kosovës, në kuadër të programit Talent Coach, të cilin po e zhvillojmë së bashku me Federatën. Këtë javë po fokusohemi më shumë te Planet Individuale të Zhvillimit (IDP) dhe mënyra se si mund t’i zhvillojmë sa më mirë talentet e Kosovës. Duam të kuptojmë si do të duket lojtari i së ardhmes dhe si do të evoluojë loja. Futbolli po ndryshon shumë shpejt dhe duhet të sigurohemi se po identifikojmë, stërvitim dhe zhvillojmë elementet e duhura te lojtarët”, ka thënë Vidarsson.

Ai ka vlerësuar edhe investimet e FFK-së në teknologji, të cilat po mundësojnë avancimin e procesit të analizimit dhe përgatitjes së futbollistëve.

“Po i kushtojmë rëndësi të veçantë edhe video-analizës, pasi Federata ka investuar në një sistem kamerash dhe në një platformë të analizës së videove, të cilën po e përdorim këtu në Qendrën Kombëtare të Stërvitjes. Pjesëmarrësit po njihen me praktikat më të mira nga Holanda. Kemi dy të ftuar nga FC Groningen, klub i elitës së futbollit holandez, të cilët kanë përvojë të madhe në hartimin e Planeve Individuale të Zhvillimit”, ka theksuar ai.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm i kësaj pune është krijimi i një filozofie të qartë të lojës për ekipet kombëtare të grupmoshave.

“Një nga projektet që mund të nisim në të ardhmen është hartimi i filozofisë së ekipeve kombëtare të të rinjve. Kjo nënkupton përcaktimin e filozofisë, planit dhe modelit të lojës së përfaqësueseve të Kosovës, si për djemtë, ashtu edhe për vajzat. Po i shqyrtojmë të gjitha këto në detaje, duke përfshirë edhe vëzhgimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve të akademisë Talent Coach”, ka bërë të ditur Vidarsson.

Në fund, ai e ka vlerësuar pozitivisht javën e punës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe diskutimeve profesionale për të ardhmen e futbollit.

“Kemi shumë tema interesante dhe po diskutojmë për futbollin gjatë gjithë javës. Është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë përvojat dhe për të avancuar punën tonë në zhvillimin e talenteve në Kosovë”, ka përfunduar Vidarsson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *