Shaqiri kujton aventurën te Interi: Kishte rrëmujë të madhe, por ata gjashtë muaj ishin të mrekullueshëm
Futbollisti i njohur kosovar, Xherdan Shaqiri, ka rikujtuar periudhën gjashtëmujore që kaloi te Interi, duke zbuluar disa nga vështirësitë me të cilat ishte përballur klubi italian në atë kohë.
Në një intervistë për episodin e ri të emisionit Larmandillo, Shaqiri ka folur për përvojat e tij në disa prej klubeve të mëdha evropiane, ndër to Bayern Munich, Inter dhe Liverpool, si dhe për aventurën në futbollin italian.
Duke u ndalur te periudha në Milano, ai ka thënë se klubi po përballej me probleme të shumta financiare dhe organizative.
“Tek Interi kishte një rrëmujë të madhe, me çështje që lidheshin me ‘fair play’-in financiar dhe shumë probleme ekonomike”, ka deklaruar Shaqiri.
Ai ka kujtuar se në atë kohë klubi drejtohej nga Erick Thohir dhe se në skuadër kishte ende shumë futbollistë të vjetër, ndërsa edhe qendra stërvitore ishte e vjetruar.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive, Shaqiri e ka vlerësuar pozitivisht përvojën në Itali.
“Gjërat ndryshuan kur erdhi Antonio Conte, por ajo nuk ishte periudha më e mirë e Interit. Megjithatë, më pëlqeu shumë jeta në Itali. Ata muaj ishin të mrekullueshëm. E kam dashur Italinë”, ka thënë ai.
Shaqiri ka kujtuar edhe ndeshjen kundër Celtic në Ligën e Evropës, duke e cilësuar atmosferën në stadiumin “Celtic Park” si më të mirën që kishte përjetuar ndonjëherë.
“Atmosfera në ‘Celtic Park’ është edhe sot më e mira që kam përjetuar ndonjëherë. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Ishte një ndeshje fantastike”, ka kujtuar futbollisti.
Në intervistë, Shaqiri është ndalur edhe te gjesti i shqiponjës që bëri së bashku me Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteinerin gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi në Kampionatin Botëror 2018.
Ai ka theksuar se gjesti ishte reagim emocional ndaj atmosferës dhe provokimeve gjatë asaj ndeshjeje, ndërsa ka shtuar se për të rëndësi kishte fitorja në aspektin sportiv dhe jo politik.
“Për mua kishte rëndësi fitorja në aspektin sportiv dhe jo politik, por ngjarja mori më pas përmasa të mëdha politike dhe mediatike”, ka deklaruar Shaqiri.
Ai ka vlerësuar se shumë zviceranë nuk e kishin kuptuar historinë dhe emocionet që qëndronin prapa atij veprimi.
Pavarësisht përvojave në disa prej ligave më të forta evropiane, Shaqiri ka bërë të ditur se për momentin dëshiron të vazhdojë të luajë futboll, duke mos e përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të mbetet pjesë e këtij sporti në një rol tjetër.
