José Mourinho ka vlerësuar paraqitjen e Real Madridit në pjesën e dytë ndaj PSV-së, duke veçuar ndikimin vendimtar të Jude Bellinghamit në përmbysjen që përfundoi me fitoren 5:1 në Ligën e Kampionëve.
Trajneri portugez nuk deshi të zbulonte se çfarë kishte ndodhur në dhomën e zhveshjes gjatë pushimit, por përdori një shprehje interesante për ta ruajtur sekretin e bisedës me futbollistët.
“Dhoma e zhveshjes është si Las Vegas. Ajo që ndodh në Las Vegas, mbetet në Las Vegas. Kemi folur, jemi miq dhe kemi biseduar”, u shpreh Mourinho.
Vlerësimet më të mëdha trajneri i rezervoi për Jude Bellinghamin, i cili hyri në pjesën e dytë dhe ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, duke shënuar edhe një gol spektakolar.
“Ai zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, e ndryshoi lojën dhe shënoi një gol fantastik. Ndoshta gabova kur mendova se mund të fitonim pa të. Desha ta ruaja sa më shumë, por kam një stol të jashtëzakonshëm dhe prania e tij ishte vendimtare”, deklaroi Mourinho.
Ai shkoi edhe më tej në vlerësimin e tij për anglezin.
“Për mua, ai është mesfushori më i mirë në botë. Mund të luajë si numër 10 apo numër 8. Skandali i vërtetë ishte që nuk u përfshi as në dhjetëshen e parë të Topit të Artë”, theksoi portugezi.
Çfarë ndryshoi në pushimin mes pjesëve?
Mourinho zbuloi se gjatë pushimit kishte përgatitur disa pamje video për t’ua treguar futbollistëve gabimet e bëra në pjesën e parë, ku sipas tij PSV-ja kishte dominuar plotësisht.
“Në pushim zgjodha tri-katër pamje për t’u treguar lojtarëve gabimet që po bënim. Një pamje vlen sa një mijë fjalë. Në pjesën e parë ishim shumë keq, ndërsa në të dytën ndryshuam gjithçka. PSV-ja na dominoi plotësisht në 45 minutat e para”, shpjegoi ai.
Megjithatë, trajneri portugez nuk u kënaq plotësisht me paraqitjen e skuadrës, duke paralajmëruar se Reali duhet të përmirësohet në mënyrën se si i nis ndeshjet.
“I nisim keq ndeshjet dhe ky është një problem që duhet ta zgjidh unë. Fakti që fituam tregon se bëmë gjëra të mira për ta ndryshuar situatën, por me rreziqet që po marrim mund të kemi pasoja. Nuk dua ta përjetoj më këtë ndjesi”, përfundoi Mourinho.
Në fund, ai e cilësoi Bellinghamin edhe si një lider natyral, duke theksuar se kërkesat e larta ndaj vetes dhe shembulli që jep në fushë ndikojnë te të gjithë bashkëlojtarët.
“Ai vuri në lëvizje motorin dhe të gjithë filluan të funksiononin ndryshe”, përfundoi Mourinho.