Llapi me fitore të rëndësishme ndaj Ballkanit
Llapi ka regjistruar fitore shumë të rëndësishme të dielën në xhiron e 32-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Pas fitores 1:0 në Suharekë ndaj Ballkanit, Llapi tani i ka 39 pikë në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit.
Dy pikë më shumë i kanë Dukagjini dhe Drenica, që janë në vendin e gjashtë dhe të shtatë. Llapi është larguar nga pozita e parafundit që dërgon në Ligën e Parë, përkatësisht në kategorinë e dytë. I ka pesë pikë më shumë se Ferizaj i nënti.
Ballkani mbetet në vendin e dytë me 55 pikë, tetë më pak se Drita lidere.
Golin e vetëm në Suharekë e shënoi Arbnor Ramadani.
Kapiteni i Llapit realizoi supergol në minutën e 75-të, me vollej-gjuajte.
Në minutën e dhjetë të shtesës, Ballkani kërkoi penallti për ndërhyrjen e Fiton Ademit në Bajram Jashanicën. Por, gjyqtari Genc Nuza nuk dha penallti pas rishikimit të situatës në VAR dhe e mbylli ndeshjen. Pati protesta te suharekasit.
