Leon Avdullahu, Kosova po të pret!
Ylli i ri i skuadrës gjermane TSG Hoffenheim, Leon Avdullahu, ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar se fanellën e cilës kombëtare do ta veshë në ciklin kualifikues të Botërorit 2026. Megjithatë, opinioni sportiv në Kosovë është i unifikuar dhe në pritje të dëgjojë një “Po” për Kosovën.
Për Leonin, Kosova nuk është thjesht një mundësi futbolli. Ajo është vendi i tij, rrënjët dhe historia e të parëve të tij. Pikërisht për këtë arsye, ai nuk do të ishte kurrë i huaj në fanellën dardane.
Në Kosovë e shohin Avdullahun si një futbollist që mund të bëhet pjesë e një projekti të madh kombëtar. Në një kohë kur kombëtarja dardane po kërkon të konsolidojë sukseset e saj dhe të arrijë synime edhe më të mëdha, talenti, pasioni dhe forca e tij do të ishin një shtysë e jashtëzakonshme.
Një debutim i mundshëm kundër Zvicrës në Bazel do të kishte jo vetëm vlerë sportive, por edhe simbolike. Tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, tifozët dardanë dhe fëmijët që ëndërrojnë ta shohin një ditë në fushë me fanellën e Kosovës, janë në pritje. Për ta, të luash për Kosovën është më shumë se një ndeshje, është mision, është nder, është krenari, prandaj Leoni duhet ta ketë parasysh një gjë të tillë.
Fanella e Kosovës bart me vete historinë dhe sakrificat e brezave dhe çdo lojtar që e mban atë, përfaqëson ëndrrat e një kombi të tërë. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Leon Avdullahut shihet si shumë më tepër sesa një zgjedhje sportive. Kjo është një mundësi historike për të qenë pjesë e rrugëtimit të madh të Dardanëve.
Mesazhi i tifozëve është i qartë: Kosova po të thërret, Kosova po të pret. Vetëm te Kosova nuk je i huaj. Leon, ti je biri i kësaj toke dardane, thuaj ‘Po’ Kosovës.
