FC Prishtina prezanton përforcimin e ri, mbrojtësin holandez Christopher Mamengi
FC Prishtina ka zyrtarizuar sot afrimin e mbrojtësit holandez, Christopher Mamengi, një lojtar me përvojë në futbollin evropian, i cili pritet të sjellë stabilitet dhe cilësi në repartin defanziv të kryeqytetasve.
Mamengi, 24 vjeç, është rritur në akademinë e njohur të FC Utrecht, ku ka bërë edhe hapat e parë si profesionist me Jong Utrecht në Eerste Divisie. Në vitin 2023, ai iu bashkua skuadrës së Almere City, që garon në Eredivisie, kampionatin elitar të Holandës, ku fitoi përvojë të vlefshme ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë.
Lojtari njihet për qetësinë me topin, aftësinë në organizimin e lojës nga prapavija dhe disiplinën në fazën mbrojtëse. Po ashtu, Mamengi ka përfaqësuar Holandën në grupmoshat U15, U16, U17 dhe U19, ndërsa me përfaqësuesen U17 ka arritur të shpallet kampion i Evropës.
Në fjalët e para si futbollist i Prishtinës, Mamengi u shpreh i entuziazmuar për sfidën e re: “Jam i gatshëm për t’i arritur objektivat që i ka klubi më i madh në Kosovë. Me padurim pres të futem në fushë dhe ta jap maksimumin për tifozët e zjarrtë të klubit, Plisat. Shihemi të dielën”, ka thënë mbrojtësi holandez për faqen zyrtare të klubit.
Me këtë transferim, Prishtina synon të rrisë konkurrencën në skuadër dhe të forcojë mbrojtjen në prag të ndeshjeve të rëndësishme në Albi Mall Superligë.
