Lautaro Martinez: Më kërkoi Barça, por jam i lumtur që qëndrova te Interi
Lautaro Martínez ka zbuluar se interesimi i Barcelonës për të gjatë merkatos së verës ishte real, por kapiteni i Interit vendosi të qëndrojë në Milano.
“Edhe pse ka klube të mëdha që të kërkojnë, duhet të jesh gjithmonë i përgatitur mendërisht për vendin ku je. Ka pasur interesim nga Barcelona, por në fund vendosa të qëndroj te Interi. Kam kontratë dhe jam i lumtur në klub. Njerëzit më duan këtu dhe dua të vazhdoj të bëj gjëra të rëndësishme”, deklaroi Martínez.
Sulmuesi argjentinas, i cili është kthyer në një prej figurave kryesore të zikaltërve, zgjodhi besnikërinë ndaj klubit pavarësisht interesimit nga një prej gjigantëve të futbollit evropian.
Interi, ndërkohë, e kishte bërë të qartë qëndrimin e tij. Presidenti i klubit, Beppe Marotta, kishte konfirmuar se Barcelona ishte interesuar për kapitenin, por theksoi se përgjigjja e klubit ishte e prerë.
“Po, kjo është e vërtetë, por përgjigjja jonë ishte shumë e qartë. Edhe lojtari shprehu dëshirën për të vazhduar me ne. Ai është kapiteni ynë dhe përfaqëson historinë e tashme dhe të ardhme të Interit. Jetë të gjatë atij!”, kishte deklaruar Marotta.
Kështu, pavarësisht interesimit të Barcelonës, Lautaro mbetet në “San Siro”, me synimin për të vazhduar të jetë një prej liderëve të projektit zikaltër.
