Borussia Dortmundi u largua me një pikë të vlefshme nga Londra, pas barazimit 1:1 ndaj Arsenalit në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Trajneri i skuadrës gjermane, Niko Kovaç, u shpreh i kënaqur me rezultatin, por nuk i fshehu rezervat për një situatë të dyshimtë në zonë, ku sipas tij VAR-i duhej të ndërhynte për të shqyrtuar prekjen e topit me dorë nga Viktor Gyökeres.
“Mendoj se VAR-i duhej ta kishte shqyrtuar atë prekje të topit me dorë. Ia vlente të kontrollohej. Ata po përpiqen të ndërhyjnë më rrallë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ndërhyjnë kur është e nevojshme. Në një situatë të tillë, dikush në dhomën e VAR-it duhet të thotë: ‘Le ta shohim pak’”, deklaroi Kovaç.
Megjithatë, trajneri kroat theksoi se nuk dëshiron të ankohet, pasi barazimin në fushën e Arsenalit e konsideron një rezultat shumë të rëndësishëm për klubin.
“Nuk po ankohem. Kjo është situata. Morëm një pikë dhe është një pikë e rëndësishme në fushën e Arsenalit. Një arritje e madhe për të gjithë ne, për tifozët, skuadrën dhe klubin”, përfundoi Kovaç.
Ky rezultat i jep një tjetër motivim Dortmundit, i cili po kalon një periudhë pozitive edhe në kampionatin gjerman, ku aktualisht kryeson Bundesligën.