Keqardhje për Ekuadorin, dominoi kundër Holandës, por mori vetëm një pikë (Video)

Ekuadori mund të pendohet që nuk arriti fitoren e dytë në Kupën e Botës në Katar, pasi pësoi një gol të hershëm nga Holanda, teksa më pas e dominoi lojën ndaj “Tulipanëve” për t’u kënaqur në fund me një barazim 1:1. Një tjetër lajm i keq për Ekuadorin është lëndimi i golashënuesit më të mirë, Ener Valencia. Ky rezultat do të thotë se Katari mikpritës është kombëtarja e parë që eliminohet nga Kampionati botëror, ndërsa Holanda dhe Ekuadori presin xhiron e tretë për të parë nëse do të kalojnë tutje. Holanda luan me Katarin, derisa Ekuadori me Senegalin.

Holanda e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi pas vetëm gjashtë minutash, kur ylli i ri i PSV Eindhoven, Cody Gakpo shënoi një gol mahnitës, të dytin e tij në kampionat, për të rritur çmimin e tij në tregun e futbollit.

Por pas këtij goli, iniciativa ishte vazhdimisht tek kombëtarja e Amerikës së Jugut, e cila shënoi edhe një gol në fund të pjesës me Pervis Estupignan, por u anulua në mënyrë kontroverse për pozitë jashtë loje. Me fillimin e pjesës së dytë, Ener Valencia shënoi golin e tretë në Kupën e Botës për të barazuar rezultatin në 1:1. Më pas, ekuadorianët shkuan në ofensivë dhe ishin shumë më të mirë se holandezët. E vetmja e metë ishte lëndimi në gju i Valencias në fund të ndeshjes.

Tani Holanda dhe Ekuadori kanë nga 4 pikë në krye të tabelës, Senegali ka tre dhe Katari i eliminuar nuk ka pikë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *