Gusto para finales së Kupës së Botës ndaj PSG-së: Jemi të fokusuar për ta fituar trofeun
Mbrojtësi i Chelseat, Malo Gusto, ka shprehur besimin dhe vendosmërinë e skuadrës së tij për të triumfuar në finalen e madhe të Kupës së Botës për Klube, ku përballë do të kenë Paris Saint-Germainin.
Finalja e shumëpritur do të përballë dy gjigantë evropianë, pas një gjysmëfinaleje ku PSG dominoi me një fitore të thellë 4:0 ndaj Real Madridit, duke lënë të kuptohet se janë në formë të shkëlqyer. Nga ana tjetër, Chelsea siguroi finalen pas një fitoreje 2:0 ndaj Fluminense, me dy gola të shënuar nga përforcimi i ri, Joao Pedro.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit londinez, Gusto u shpreh se skuadra është e përgatitur dhe e motivuar për ta përmbyllur këtë kompeticion me trofe.
“Gjëja më e rëndësishme është ta ndihmojmë ekipin, ta tregojmë dëshirën për fitore dhe të vazhdojmë të shtyjmë përpara së bashku,” deklaroi Gusto, duke theksuar unitetin dhe ambicien që mbretëron brenda skuadrës.
Chelsea synon që trofeut të Conference League, të fituar në fund të sezonit të kaluar, t’ia shtojë edhe titullin e kampionit të botës për klube, ndërsa PSG do të kërkojë të konfirmojë superioritetin e treguar në gjysmëfinale.
Finalja pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese, me dy prej skuadrave më të mëdha të kontinentit që garojnë për lavdinë ndërkombëtare.
