Ademi takohet me ish-presidentin Hashani: Futbolli ka qenë dhe mbetet amanet kombëtar
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar të enjten me ish-presidentin e këtij institucioni, Sabri Hashani, të cilin e ka cilësuar si figurë kyçe të futbollit kosovar në kohë të vështira. Përmes një postimi në rrjete sociale, Ademi ka shprehur mirënjohjen për kontributin e Hashanit në periudhën kur futbolli ishte më shumë se një sport – një formë qëndrese dhe shprehje e identitetit kombëtar.
“Nder dhe emocion i veçantë të takoj presidentin Sabri Hashani, njeriun që udhëhoqi Federatën e Futbollit të Kosovës në kohë të vështira, atëherë kur futbolli ishte më shumë se një lojë, ishte një formë qëndrese, një zë i heshtur i një populli që kërkonte të njihej ndërkombëtarisht”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se me Hashanin ndajnë një ideal të përbashkët për zhvillimin e futbollit në vend, ndërsa ka shtuar se puna e tij mbetet një themel i fuqishëm mbi të cilin po ndërtohet e ardhmja.
“E njoftova për zhvillimet aktuale, për investimet në të rinjtë, për infrastrukturën moderne dhe për ëndrrat që sot po i kthejmë në realitet. Ai mbeti i mahnitur me progresin dhe i lumtur për punën që po bëjmë”, ka shkruar më tej presidenti i FFK-së.
Ademi ka nënvizuar se ndien përgjegjësi të veçantë për ta vazhduar dhe nderuar trashëgiminë e çdo ish-presidenti të FFK-së, duke e cilësuar futbollin si një amanet që i tejkalon kufijtë sportivë.
“Futbolli ynë është më shumë se sport, është trashëgimi, është amanet, është bashkim”, ka përfunduar Ademi.
