Garnacho refuzon Al-Nassr-in, Napoli vazhdon përpjekjet për transferim
Anësori i ri i Manchester United, Alejandro Garnacho, ka refuzuar një ofertë nga klubi saudit Al-Nassr, pavarësisht se ndodhet në listën e lojtarëve të transferueshëm këtë verë. Sipas The Sun, skuadra nga Arabia Saudite, ku luan edhe Cristiano Ronaldo, ka bërë një qasje konkrete për ta afruar argjentinasin, por pa sukses.
Garnacho, 20-vjeçar, raportohet se ka refuzuar të largohet nga Evropa, pasi synon të vazhdojë zhvillimin e tij në një ligë konkurruese evropiane.
Një nga klubet më të interesuara për shërbimet e tij është Napoli, i cili tashmë ka nisur bisedimet me Manchester United për të gjetur një marrëveshje të mundshme.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, në një deklaratë të bërë javën e kaluar, shprehu hapur dëshirën për ta sjellë Garnachon në Serie A. “E duam sepse është te United. Nxirre prej andej dhe bëhet dyfish më i mirë. Ka një problem te United që nuk mund ta shpjegoj”, u shpreh ai.
Garnacho konsiderohet si një nga talentet më premtues në futbollin evropian, por me ardhjen e trajnerit të ri Ruben Amorim dhe ndryshimet e thella në skuadër, e ardhmja e tij në “Old Trafford” duket gjithnjë e më e paqartë.
Napoli, që këtë verë ka ambicie për ta rindërtuar skuadrën dhe për të synuar titullin e ri në Itali, shpreson që Garnacho të jetë një nga prurjet kyçe të merkatos. Negociatat pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
