September 20, 2026

Drita rikthehet te fitorja, Drenica shënon katër gola ndaj Llapit

Drita i është rikthyer fitores në Superligën e Kosovës, ndërsa Drenica ka shënuar një fitore të thellë ndaj Llapit në ndeshjet e së dielës. Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, ka triumfuar 2:1 ndaj Dukagjinit në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Skuadra nga Gjilani ishte pa fitore në tri ndeshjet e fundit, por këtë herë arriti të marrë pikët e plota. Blerim Krasniqi e kaloi Dritën në epërsi në minutën e 34-t, ndërsa Besnik Krasniqi e dyfishoi rezultatin në minutën e 65-të.

Besniku përfitoi nga një top i kthyer nga portieri Kenan Haxhihamza, i cili fillimisht kishte pritur një gjuajtje të fuqishme. Dukagjini reagoi shpejt dhe Dienit Isufi ngushtoi epërsinë në minutën e 70-të, por vendasit nuk arritën të shmangin humbjen. Pas kësaj fitoreje, Drita ka 11 pikë në pozitën e katërt, ndërsa Dukagjini mbetet në vendin e tretë me 12 pikë. Drita ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Drenica ka shënuar fitore bindëse 4:0 ndaj Llapit në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Pas humbjes 4:0 nga Malisheva në xhiron e kaluar, Llapi ka pësuar edhe një tjetër disfatë me të njëjtin rezultat. Gjergji Kote e hapi serinë e golave në minutën e 14-të, duke shënuar një supergol për 1:0. Drenica e dyfishoi epërsinë në minutën e 41-të përmes Adrian Durmishajt, i cili realizoi nga afërsia pas harkimit të Genc Hamitit. Goli fillimisht u rishikua nga VAR-i dhe më pas u konfirmua. Kote shënoi edhe golin e tij të dytë në minutat shtesë të pjesës së parë, me një tjetër goditje të bukur, duke e çuar rezultatin në 3:0. Rezultati përfundimtar u vulos nga Agim Zeka, i cili realizoi në pjesën e dytë. Për Zekën, ky ishte debutimi me fanellën e Drenicës. Drenica tani ka nëntë pikë dhe renditet në pozitën e shtatë pas shtatë ndeshjeve, ndërsa Llapi mbetet në vendin e nëntë me vetëm tri pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *