Kozo Tashima sfidon Infantinon për të parin e FIFA-s
Kozo Tashima ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për president të FIFA-s, duke u bërë japonezi i parë që synon të marrë drejtimin e institucionit më të lartë të futbollit botëror.
Ish-futbollisti japonez, 68-vjeçar, e bëri të ditur vendimin të enjten, pas një mbledhjeje të bordit të Federatës Japoneze të Futbollit (JFA), duke konfirmuar se do të garojë në zgjedhjet që do të mbahen në marsin e ardhshëm.
Tashima ka qenë pjesë e Këshillit të FIFA-s që nga viti 2015, ndërsa një vit më vonë mori drejtimin e Federatës Japoneze të Futbollit. Ai e mbajti këtë pozitë deri në vitin 2024, kur në krye të JFA-së u pasua nga Tsuneyasu Miyamoto.
“Jam mirënjohës që mund ta bëj këtë njoftim me mbështetjen e plotë të JFA-së”, deklaroi Tashima para gazetarëve në Tokio.
Ai theksoi se kandidatura e tij nuk ka të bëjë vetëm me rezultatin e zgjedhjeve, por edhe me përfaqësimin e vlerave që, sipas tij, futbolli japonez i ka ndërtuar ndër vite.
“Çështja nuk është fitorja apo humbja, por përcjellja te bota e qëndrimit të ndershëm, të shëndoshë dhe të drejtë që futbolli japonez ka ndërtuar. FIFA ka nevojë për këto vlera që ne i kemi mbrojtur. Kam vendosur të kandidoj për ta përcjellë këtë mesazh në botë”, u shpreh ai.
Megjithatë, për të qenë zyrtarisht pjesë e garës, Tashima duhet të sigurojë nominimet nga së paku pesë federata kombëtare, kusht ky i përcaktuar për kandidatët presidencialë të FIFA-s. Afati për dorëzimin e kandidaturave përfundon më 18 nëntor.
Tashima nuk është kandidati i vetëm që synon të sfidojë presidentin aktual, Gianni Infantino. Ish-mbrojtësi i Tottenham Hotspur, Ramon Vega, ishte i pari që në muajin tetor njoftoi publikisht synimin për të garuar kundër Infantino-s.
Ky i fundit, 56-vjeçar, ka hasur në kundërshtime pas përpjekjes së tij për krijimin e një entiteti të ri komercial të FIFA-s, por në muajin e kaluar mori mbështetjen e presidentit të futbollit aziatik.
FIFA numëron 211 federata anëtare me të drejtë vote, ndërsa zgjedhjet e marsit pritet të përcaktojnë drejtuesin e ardhshëm të futbollit botëror.
