Aston Villa synon transferimin e Gavit, Barcelona nuk dëshiron ta shesë
Aston Villa po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Barcelonës, Gavi, me trajnerin Unai Emery që thuhet se e vlerëson lart futbollistin spanjoll.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, Emery e sheh Gavi si një përforcim të rëndësishëm për mesfushën e skuadrës angleze në afatin e ardhshëm kalimtar.
Teknika, energjia dhe aftësia e tij për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve janë cilësi që përputhen me filozofinë e lojës së trajnerit të Aston Villas.
Interesi i klubit anglez lidhet edhe me minutazhin e kufizuar që Gavi ka pasur këtë sezon nën drejtimin e Hansi Flickut. Në katër paraqitje në La Liga, mesfushori ka qenë titullar në vetëm dy ndeshje, ndërsa në Ligën e Kampionëve është aktivizuar si zëvendësues.
Megjithatë, transferimi i tij në Premier League nuk pritet të jetë i lehtë.
Gavi ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030 dhe konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit afatgjatë të klubit katalanas.
Edhe gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, ka lënë të kuptohet se Barcelona nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mesfushori, pavarësisht minutave të reduktuara që ka marrë së fundmi.
Për momentin, interesi i Aston Villas nuk është konkretizuar me ofertë zyrtare, ndërsa mbetet të shihet nëse klubi anglez do të ndërmarrë hapa për ta bindur Barcelonën që ta lërë të lirë 22-vjeçarin.
