Drita përmbys Florianan pas vazhdimeve dhe siguron raundin e tretë të Conference League

Drita ka siguruar kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League, pasi mposhti Florianan e Maltës me rezultat 2:1 pas vazhdimeve, në një ndeshje dramatike të zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Maltë, gjithçka mbeti e hapur për takimin e kthimit. Megjithatë, mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 40-të, kur Paul Mbong realizoi një supergol për 1:0.

Drita dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes dhe krijoi shumë raste, por goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 87-të. Jorgo Pëllumbi shënoi për 1:1, duke e dërguar sfidën në vazhdime.

Lëvizja vendimtare e trajnerit Zekirija Ramadani rezultoi inkuadrimi i Raddy Ovoukës në minutën e 60-të. Futbollisti kongolez asistoi te goli i barazimit, ndërsa në fillim të vazhdimit të parë aksioni i tij detyroi një mbrojtës të Florianas të realizonte autogol për 2:1.

Drita e ruajti epërsinë deri në fund dhe me rezultat të përgjithshëm 3:2 siguroi kalimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Conference League.

Në raundin e ardhshëm, kampionia e Kosovës do të përballet me Tre Fiorin nga San Marino. Ndeshja e parë do të luhet më 6 gusht në San Marino, ndërsa ajo e kthimit një javë më vonë në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *