Plani i FIFA-s për investitorë privatë në turne, UEFA kundërshton: Futbolli nuk është në shitje
Plani i FIFA-s për të hapur garat e saj më të mëdha ndaj investitorëve privatë ka shkaktuar reagime të forta në Evropë. Sipas mediumit gjerman Kicker, në UEFA janë diskutuar edhe masa drastike ndaj këtij propozimi, përfshirë mundësinë e bojkotimit të disa garave të FIFA-s.
FIFA synon të krijojë një degë të veçantë që do të menaxhonte të drejtat komerciale të kompeticioneve kryesore, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, si dhe Kupën e Botës për Klube. Në këtë strukturë, investitorët privatë do të mund të blinin mes 20 dhe 30 për qind të aksioneve.
Edhe pse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, FIFA ka përgatitur planin që pritet t’u prezantohet 211 federatave anëtare.
Ideja është kundërshtuar fuqishëm nga UEFA, e cila ka paralajmëruar se futbolli nuk duhet të kalojë në duart e interesave private.
“UEFA e merr këtë çështje shumë seriozisht. Çdo federatë nacionale duhet ta marrë gjithashtu. Po ashtu të gjitha palët e interesuara, ligat, klubet, lojtarët, tifozët, qeveritë dhe të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e futbollit”, ka deklaruar UEFA.
Konfederata evropiane ka theksuar se askush nuk e zotëron futbollin dhe se ky sport “nuk është në shitje”.
Sipas raportimeve të Kicker, në UEFA është diskutuar edhe mundësia që klubet dhe federatat evropiane të bojkotojnë disa gara të organizuara nga FIFA. Një vendim i tillë do të kishte pasoja të mëdha, sidomos për Kupën e Botës dhe Kupën e Botës për Klube, megjithëse deri tani nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar për këtë çështje.
Një bojkot nga futbolli evropian do të konsiderohej si presioni më i madh që UEFA mund t’i bëjë FIFA-s, duke pasur parasysh peshën sportive dhe ekonomike të Evropës në futbollin botëror.
Kritika ndaj planit të FIFA-s kanë shprehur edhe ish-presidenti i kësaj organizate, Sepp Blatter, si dhe kryetari i bashkisë së Mançesterit dhe ish-deputeti britanik, Andy Burnham.
