Drita përballet me Differdangen për një vend historik në Ligën e Konferencës
Kampionia e Kosovës, Drita, të enjten kërkon hapin e madh drejt fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Skuadra nga Gjilani luan kundër Differdange 03 nga Luksemburgu në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshje që nis në orën 20:00 dhe transmetohet në KTV.
Drita e ka mposhtur Differdangen dy herë këtë verë, 1:0 në Gjilan dhe 3:2 në Luksemburg, në raundet e Ligës së Kampionëve. Tani, trajneri Zekirija Ramadani e quan përballjen e radhës një “finale” për klubin.
“Na pret një kundërshtar që e njohim mirë. Është skuadër e disiplinuar dhe vështirë të depërtosh. Duhet të kemi durim dhe qasje profesionale, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Do të isha i lumtur të udhëtonim me një avantazh minimal. E rëndësishme është të mos pranojmë gola”, tha Ramadani të mërkurën.
Tekniku shtoi se Drita shihet si favorite në letër, por paralajmëroi se në fushë të dyja skuadrat janë të barabarta.
Drita ka humbur pesë ndeshje radhazi pas fitoreve ndaj Differdanges, përfshirë edhe disfatën nga Ferizaj në start të Superligës së Kosovës. Ramadani pranon krizën e rezultateve, por thotë se ekipi do të reagojë.
“Pesë humbje nuk më kanë ndodhur në karrierë. Por, kemi pasur rivalë të fortë dhe ekipi ka reflektuar edhe në të kaluarën. Besoj se do ta bëjmë sërish. Të gjitha duhet t’i themi në fushë, me angazhim dhe luftë sportive,” u shpreh ai.
Drita do të luajë pa kapitenin Rron Broja, i suspenduar nga UEFA me dy ndeshje pas kartonit të kuq kundër FCSB-së.
Ramadani thekson se kualifikimi në Ligën e Konferencës nuk do të ishte thjesht sukses, por “histori”.
“Prezantimi i Dritës në Ligën e Konferencës nuk është vetëm sukses, por histori. Hera e parë mbahet mend gjithmonë,” tha ai.
Drita sezonin e kaluar u ndal në play-off nga Legia e Varshavës. Këtë edicion, objektivi është më i prekshëm.
