Drita afër befasisë, por FCSB përmbys gjithçka në fund
Kampionia e Kosovës, FC Drita ishte shumë pranë një rezultati të jashtëzakonshëm në transfertën e vështirë ndaj FCSB-së në Bukuresht, në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të tretë në Ligën e Evropës, por në fund u mposht me rezultat 3:2 pas një përmbysjeje dramatike nga skuadra rumune.
Skuadra nga Gjilani e nisi furishëm takimin në “Arena Națională”, duke tronditur vendasit që në minutën e 7-të me golin e Veton Tushës. Fillimi i pjesës së dytë solli edhe më shumë entuziazëm për Dritën, pasi Arb Manaj dyfishoi shifrat në minutën e 50-të, duke çuar rezultatin në 0:2.
Megjithatë, FCSB reagoi fuqishëm dhe ngushtoi rezultatin përmes Daniel Bîrligea në minutën e 64-t. Vetëm tetë minuta më vonë, Graovac barazoi gjithçka me një goditje me kokë, duke rikthyer besimin te tifozët vendas.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, në minutat shtesë (90+4), FCSB fitoi një penallti të diskutueshme, të cilën Bîrligea e realizoi për fitoren 3:2.
Pavarësisht humbjes, paraqitja e Dritës ishte për t’u duartrokitur. Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani tregoi karakter, disiplinë dhe guxim në një nga stadiumet më të mëdha të Evropës Lindore.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku pritet një atmosferë e zjarrtë për të ndihmuar Dritën në misionin e saj për përmbysje dhe kualifikim historik.
