Ballkani arrin fitore të rëndësishme ndaj Shamrock Rovers në “Fadil Vokrri”
Ballkani ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në “play-off”-in e Ligës së Konferencës, duke triumfuar me rezultat minimal 1:0 ndaj kampionëve të Irlandës, Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues, të zhvilluar të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pjesa e parë u karakterizua me dominim territorial dhe posedim më të lartë nga ana e suharekasve, të cilët megjithatë nuk arritën të gjenin rrjetën përballë një kundërshtari të disiplinuar në mbrojtje.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 56-të, kur pas një asisti preciz të Geralb Smajlit, sulmuesi nigerian Sunday Adetunji finalizoi me qetësi për epërsinë e Ballkanit.
Skuadra e Orges Shehit kishte edhe disa raste të mira për të dyfishuar shifrat, por fati dhe mungesa e saktësisë në finalizim i mohuan golin e dytë. Gjithsesi, fitorja me rezultat minimal është kapital i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit që zhvillohet javën e ardhshme.
Pas ndeshjes, asistuesi Geralb Smajli u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës:
“Ishim të përgatitur në çdo detaj. Shamrock është ekip me përvojë dhe na vuri në vështirësi, por ne e lexuam mirë lojën. E dinim që rreziku i tyre më i madh vjen nga loja ajrore dhe stafi teknik kishte punuar shumë në këtë aspekt. Fitorja është e merituar dhe na jep besim për përballjen në Irlandë.”
