”Djajtë e Kuq” fitojnë derbin kundër “Bluve”
Rubén Amorim mund të marrë frymë më lirë. Pas kritikave të shumta për nisjen e dobët të sezonit, trajneri portugez arriti të gjejë formulën e duhur dhe Manchester United triumfoi në derbin e madh kundër Chelseat me rezultat 2-1 në “Old Trafford”.
Ndeshja nisi me një gabim të rëndë të portierit mysafir Robert Sánchez, i cili në minutën e dytë faulloi Bryan Mbeumon jashtë zonës së rreptësisë dhe u ndëshkua me karton të kuq direkt. Pasojë e kësaj ishte zëvendësimi i hershëm i talentit Estêvão, i cili u largua nga loja pas vetëm gjashtë minutash për t’i lënë vend portierit rezervë Jørgensen.
Trajneri Enzo Maresca u detyrua të bëjë edhe një tjetër ndërrim duke futur Tosin Adarabioyo në vend të Netos, ndërsa pas 20 minutash një tjetër goditje për Chelsean erdhi me lëndimin e Cole Palmerit.
United shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 17-të Bruno Fernandes, pas një asistimi nga Dorgu, shënoi me kokë për 1-0. Ky ishte goli i tij i 100-të në ndeshjen e 200-të në Premier League për “djajtë e kuq”. Në minutën e 37-të Casemiro dyfishoi pas një rrëmuje në zonë, por braziliani u përjashtua në fund të pjesës së parë me karton të dytë të verdhë.
Me nga dhjetë lojtarë në fushë, Chelsea u përpoq të rikthehej. Një gol i Fofanas u anulua për pozitë jashtë loje, por në minutën e 80-të Trevoh Chalobah shënoi me kokë pas një krosimi të Reece James për 2-1.
Megjithatë, United e mbajti avantazhin dhe siguroi një fitore të rëndësishme, duke u ngjitur në vendin e nëntë në tabelë. Chelsea mbetet në pozitën e gjashtë me një pikë më shumë se rivali i sotëm.
