Top Tema

Futbolli i Kosovës ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij të zhvillimit, me inaugurimin zyrtar të “FIFA Talent Academy Kosova”, një projekt i realizuar në bashkëpunim ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, i cili synon të krijojë mundësi të reja për identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të rinj. Ceremonia inauguruese mblodhi në një vend përfaqësues të FIFA-s, drejtues të FFK-së, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, trajnerë, prindër, futbollistë e futbolliste të reja, si dhe figura të rëndësishme të futbollit kosovar dhe të gjeneratës së artë. Hapja e kësaj akademie përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në gjeneratat e reja dhe në të ardhmen e futbollit kosovar, duke u ofruar fëmijëve mundësi për t'u zhvilluar në një ambient profesional dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Ademi: “FIFA Talent Academy”, dëshmi e besimit të FIFA-s në Kosovë Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në fjalën e tij vuri në pah rëndësinë historike të inaugurimit të akademisë dhe besimin e madh që FIFA ka treguar ndaj FFK-së dhe potencialit të futbollit kosovar. Ai theksoi se akademia do të ketë për mision nxjerrjen e gjeneratave të reja të futbollistëve dhe futbollisteve, të cilët në të ardhmen mund të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe të klubeve që e përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare. “Sot është një ditë e veçantë për Kosovën për faktin që sot në po inaugurohet ‘FIFA Academy’, e cila do të nxjerrë futbollistë dhe futbolliste tek këto troje, tek ky vend, të cilët një ditë sigurisht ndonjëri prej këtyre futbollistëve dhe futbollisteve do ta veshë fanellën e kombëtares sonë të Republikës së Kosovës”, tha Ademi. Ai u shpreh i bindur se nga kjo akademi do të dalin talente që do t'i bashkohen gjeneratës së artë të futbollit kosovar, duke iu referuar futbollistëve që tashmë kanë shkruar historinë e në futbollin kosovar. Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij i pari i FFK-së ia kushtoi pozitës së Kosovës në kuadër të këtij projekti të FIFA-s. Sipas tij, “FIFA Academy” në Kosovë është e para në rajon dhe Ballkan, e treta në Evropë dhe e 15-ta në botë, në kuadër të 211 federatave anëtare të FIFA-s. Presidenti Ademi e vlerësoi këtë si një dëshmi të besimit të madh të FIFA-s në FFK-në dhe në potencialin që ka Kosova për zhvillimin e talenteve. Ai theksoi se përkundër sfidave që Kosova ka pasur ndër vite në aspektin e infrastrukturës dhe kushteve të punës, vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. “Për fatin e mirë ne e kemi talentin, për çka na kanë lakmi pothuajse të gjithë, sepse fëmijët tanë janë fëmijët më të shëndoshë, më të bukur dhe më të përkushtuar në botë”, tha Ademi. Në këtë kontekst, Ademi falënderoi veçanërisht prindërit për përkushtimin e tyre në edukimin dhe mbështetjen e fëmijëve, duke theksuar se “FIFA Talent Academy” nuk synon vetëm zhvillimin e aftësive futbollistike, por edhe edukimin përmes disiplinës, bashkëpunimit dhe respektit. Ai nënvizoi gjithashtu se fëmijët pjesëmarrës në akademi vijnë nga klubet e Kosovës, duke e cilësuar punën e klubeve si një nga bazat kryesore mbi të cilat po ndërtohet zhvillimi i futbollit kosovar. Sipas Ademit, progresi i klubeve në garat evropiane dhe puna e tyre me gjeneratat e reja kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të futbollit në Kosovë. Presidenti i FFK-së shprehu mirënjohje të veçantë për FIFA-n dhe drejtuesit e saj, duke përmendur presidentin Gianni Infantino, shefin e zhvillimit Arsène Wenger dhe drejtorin për Evropën, Elkhan Mammadov, për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti. Ai falënderoi gjithashtu përfaqësuesit e FIFA-s dhe stafin teknik që kanë qenë të angazhuar në zhvillimin e akademisë. Në fund të fjalës së tij, Ademi iu drejtua drejtpërdrejt akademistëve të rinj, duke i inkurajuar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të synojnë të bëhen pjesë e gjeneratave të ardhshme të arta të Kosovës. “Jeni akademistët e parë të një akademie, madje jo vetëm në Kosovë, por të një akademie të parë në rajonin tonë. Prandaj sigurisht që jeni të artë qysh tash”, tha Ademi. Gashani: Investim në potencialin e të rinjve dhe në të ardhmen e sportit...