Tjetër vlerësim nga UEFA për FFK-në në fushën e edukimit

Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm nga UEFA në fushën e edukimit dhe licencimit të trajnerëve.

Përmes një shkrese zyrtare, UEFA, sot, e ka njoftuar FFK-në se, pas vlerësimit pozitiv të kursit të parë UEFA Goalkeeper B të organizuar në Kosovë, paneli UEFA Jira dhe Komiteti për Zhvillim dhe Asistencë Teknike kanë shqyrtuar dhe miratuar raportin pozitiv për këtë program.

Si rezultat i këtij vlerësimi, FFK-së i është dhënë anëtarësim i ri në Konventën e UEFA-s për Trajnerë, në nivelin shtesë të diplomës UEFA Goalkeeper B.

Kjo nënkupton se FFK tashmë ka të drejtë të lëshojë diploma dhe licenca UEFA Goalkeeper B për kandidatët që përfundojnë me sukses këtë program të edukimit të trajnerëve.

Në letrën e UEFA-s drejtuar FFK-së, institucioni evropian i futbollit ka kërkuar që, para lëshimit të diplomave dhe licencave të para, FFK-ja t’i dërgojë UEFA-s modelet e tyre për miratim.

UEFA e ka përgëzuar FFK-në për këtë arritje të radhës në edukimin e trajnerëve dhe i ka uruar sukses në organizimin e kurseve të ardhshme.

Ky vlerësim i UEFA-s përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e edukimit profesional të trajnerëve të portierëve në Kosovë dhe zgjerimin e programeve të FFK-së në përputhje me standardet evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *