Austria e mposht Kosovën 3:1, “Dardanët” pa përgjigje në Vjenë

Screenshot

Kosova ka pësuar humbje 3:1 nga Austria në stadiumin “Ernst Happel” në Vjenë, në ndeshjen e dytë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” kishin përkrahje të jashtëzakonshme nga tribunat, ku mijëra tifozë shqiptarë krijuan atmosferë fantastike, por Kosova nuk arriti ta shpërblejë këtë mbështetje në fushën e blertë.

Kosova e pati rastin e parë të madh në ndeshje. Në minutën e 6-të, Vedat Muriqi u gjend i vetëm përballë portierit austriak, por sulmuesi i Kosovës goditi mbi portë.

Austria kaloi në epërsi në minutën e 23-të. David Affengruber shënoi me kokë pas një dueli në zonën e Kosovës. Goli fillimisht u rishikua nga VAR-i dhe më pas u konfirmua.

“Dardanët” tentuan të reagojnë, por Austria ishte më e rrezikshme dhe në fundin e pjesës së parë e dyfishoi epërsinë.

Në minutën e dytë të kohës shtesë, austriakët ndërtuan një kundërsulm të shpejtë, ndërsa Junior Adamu përfitoi nga hapësira e krijuar dhe realizoi për 2:0.

Përzgjedhësi Franco Foda reagoi në pushim me tri zëvendësime. Në fushë u inkuadruan Edon Zhegrova, Milot Avdyli dhe Valmir Matoshi, në vend të Ermal Krasniqit, Baton Zabërgjës dhe Veldin Hoxhës.

Megjithatë, Austria e shënoi edhe golin e tretë.

Në minutën e 61-të, pas një aksioni në zonën e Kosovës dhe një ndërhyrjeje jo të sigurt të mbrojtjes, Carney Chukwuemeka shënoi për 3:0.

Në këtë aksion u lëndua edhe portieri Aro Muriq, i cili u detyrua të largohej nga loja. Në vend të tij hyri Amir Shaipi.

Kosova nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin. Në minutën e 83-të, Valmir Matoshi fitoi një penallti pas ndërhyrjes së një futbollisti austriak.

Përgjegjësinë e mori Edon Zhegrova, i cili ishte i saktë nga pika e bardhë dhe ngushtoi rezultatin në 3:1.

Në minutat e fundit Kosova pati më shumë iniciativë, por nuk arriti të krijojë raste të mjaftueshme për ta rihapur ndeshjen.

Austria e mbylli takimin me fitore 3:1 dhe mori tri pikët e radhës në Grupin B3.

Për Kosovën kjo ishte humbja e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, pas fitores 1:0 ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”.

Në këtë grumbullim, Kosova u përball edhe me disa mungesa të rëndësishme. Albian Hajdari mungoi për shkak të lëndimit, ndërsa jashtë ekipit ishin edhe Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj.

Megjithatë, kohë për t’u ndalur te kjo humbje nuk ka. “Dardanët” do të kenë menjëherë mundësinë për të reaguar.

Të enjten, Kosova përballet me Izraelin në Debrecen të Hungarisë, ndërsa më pas, më 4 tetor, në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presë sërish Austrinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *