Atletico “godet” Barcelonën në “Camp Nou”, hap i madh drejt gjysmëfinales
Atletico Madrid ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj FC Barcelona, duke triumfuar 2:0 në “Camp Nou” në ndeshjen e parë çerekfinale të UEFA Champions League.
Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone e vendosi fatin e ndeshjes në fundin e pjesës së parë. Pas rishikimit me VAR, Pau Cubarsí u përjashtua me karton të kuq si lojtar i fundit, duke lënë Barcelonën me një futbollist më pak. Nga goditja e dënimit që pasoi, Julián Álvarez realizoi një supergol për epërsinë 1:0 në minutën e 45-të.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Barcelona reagoi në pjesën e dytë dhe kërkoi me ngulm barazimin. Marcus Rashford goditi traversën, ndërsa vendasit krijuan edhe disa raste të mira, por pa konkretizim.
Në anën tjetër, Atletico tregoi efikasitet maksimal. Në minutën e 70-të, Alexander Sørloth vulosi fitoren me golin për 2:0.
Barça vazhdoi të ketë iniciativën deri në fund, por pa arritur të ndryshojë rezultatin.
Ndeshja e kthimit në “Metropolitano” pritet të jetë shumë e zjarrtë, por Atletico tashmë është në një pozitë mjaft komode për të siguruar një vend në gjysmëfinale.
