Alvaro Carreras pas rikthimi te Real Madridi: Është dita më e lumtur e jetës sime
Mbrojtësi i krahut, Alvaro Carreras, është shprehur i emocionuar pas rikthimit te Real Madridi, klub ku kishte kaluar fazat e para të karrierës së tij si futbollist i ri.
Carreras u prezantua të martën para mediave në “Santiago Bernabeu”, vetëm një ditë pasi kompletoi transferimin nga Benfica. Ai e cilësoi rikthimin në “shtëpinë e tij” si ëndërr të realizuar.
“Ky moment do të thotë gjithçka për mua. Është përmbushje e një ëndrre, kthim në shtëpi, aty ku kam përjetuar emocione të paharruara. Tani më presin sfida të mëdha dhe jam gati për to”, deklaroi Carreras gjatë prezantimit.
22-vjeçari ishte pjesë e akademisë së Real Madridit para se të transferohej te Manchester United, e më pas te Benfica. Ai pranoi se nuk ishte e lehtë të përmbyllej marrëveshja, por se mbeti i fokusuar gjatë gjithë kohës.
“Rruga deri këtu ka qenë e gjatë. Në futboll flitet shumë, por unë isha i përqendruar te Benfica. Pas zhgënjimit në Kupën e Botës (U-23), mezi pres ta nis një sezon që do të jetë i shkëlqyer për të gjithë”, shtoi ai.
Carreras foli edhe për trajnerin e ri të Real Madridit, Xabi Alonso, me të cilin tha se kishte pasur një bisedë pozitive.
“Kam pasur rastin të flas me Xabin. Më uroi fat dhe më tregoi për rolin që do të kem në skuadër. Jam i gatshëm të jap gjithçka.”
Për stilin e tij si futbollist, Carreras tha: “Është e vështirë të flas për veten, por e dua topin, më pëlqen të avancoj përpara, të mbroj mirë dhe mbi të gjitha të jap maksimumin me këtë fanellë.”
Ai përfundoi fjalimin me emocion të madh, duke përmendur idhujt e tij në këtë pozitë: “Idhujt e mi janë Roberto Carlos dhe Marcelo. Ishte një luks t’i shihja duke luajtur, veçanërisht Marcelon nga afër. Janë frymëzimi im.”
Carreras pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm për Real Madridin në sezonin e ri, në prag të nisjes së epokës së re nën drejtimin e Xabi Alonsos.
