April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

FC Drita bën historinë, kalon në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve

FC Drita ka realizuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën evropiane, duke u bërë skuadra e parë nga Kosova që kalon raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Kampionia nga Gjilani e mposhti kampionin e Luksemburgut, Differdange 03, edhe në ndeshjen e kthimit me rezultat dramatik 3:2, për të siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4:2.

Njeriu i ndeshjes ishte sërish Arb Manaj, i cili realizoi dy gola në pjesën e parë të ndeshjes të zhvilluar në Luksemburg. Goli i parë erdhi në minutën e 4-të pas një asistimi të bukur nga Liridon Balaj, ndërsa në minutën e 17-të Manaj dyfishoi epërsinë me një goditje precize që la portierin vendas të pafuqishëm.

Differdange u rikthye në lojë në minutën e 28-të me golin e Theo Bruscos, ndërsa në pjesën e dytë arriti të barazojë rezultatin në 2:2 nga penalltia e Hadji, kur dukej se ndeshja po shkonte drejt fundit.

Por Veton Tusha, që në minutën e 84-të kishte humbur një rast të artë i vetëm përballë portierit, u rikthye si hero në minutat shtesë, duke realizuar golin e tretë dhe vulosur fitoren dhe kualifikimin historik të Dritës!

Atmosfera në stadium u ndez nga qindra tifozë shqiptarë në diasporë, të cilët mbështetën fuqishëm Dritën gjatë gjithë ndeshjes. Festë, emocione dhe krenari, kjo ishte mbrëmja e Dritës në tokën luksemburgase.

Me këtë sukses të madh, Drita kualifikohet në raundin e dytë, ku do të përballet me gjigantin danez FC Copenhagen, një skuadër me përvojë të madhe në garat evropiane.

Ky kualifikim është më shumë se vetëm një fitore, është një moment historik për futbollin kosovar, një dëshmi e përparimit të klubeve tona dhe rritjes së nivelit konkurrues në Evropë.

Drita nuk e shkroi vetëm historinë e vet, por të gjithë futbollit tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *