April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

Agim Ademi uron Dritën për fitoren ndaj Differdange: Hap i madh drejt historisë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar FC Dritën për fitoren e rëndësishme në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Ademi ka vlerësuar lart paraqitjen e kampionëve të Kosovës, të cilët të martën mbrëma në “Fadil Vokrri” triumfuan me rezultat 1:0, falë golit të Arb Manajt në minutën e 74-t.

“Urime fitorja, FC Drita! Përgëzime për fitoren e arritur ndaj Differdange me rezultat 1:0. Goli i Arb Manajt bëri diferencën, duke i dhënë fitoren e merituar kampionëve tanë”, ka shkruar Ademi.

Ai e ka cilësuar këtë fitore si një hap të madh drejt kualifikimit në raundin e dytë, që do ta bënte Dritën skuadrën e parë nga Kosova që arrin këtë fazë në Ligën e Kampionëve.

“Urojmë futbollistët për paraqitjen vetëmohuese, stafin teknik për përgatitjen e shkëlqyer dhe tifozët ‘Intelektualët’ për atmosferën fantastike në ‘Fadil Vokrri’”, shtoi kreu i FFK-së.

Në fund, Ademi theksoi rëndësinë e menaxhimit të kësaj epërsie në ndeshjen e kthimit në Luksemburg, ku gjilanasit do të synojnë ta bëjnë hapin vendimtar drejt kualifikimit tutje.

Ndeshja e kthimit ndërmjet Differdange dhe Dritës zhvillohet javën e ardhshme, ku përfaqësuesja kosovare kërkon të shkruajë historinë në arenën evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *