Agim Ademi pret ish-anëtarin e Kryesisë së parë të FFK-së, Enver Nuredinin

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e FFK-së ish-anëtarin e Kryesisë së parë të Federatës, Enver Nuredinin, i cili jeton dhe vepron në Angli.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi bëri të ditur se gjatë takimit kanë biseduar për sfidat e viteve të para të funksionimit të FFK-së, për përkushtimin e brezit që hodhi themelet e futbollit të pavarur të Kosovës dhe për rrugëtimin që Federata ka bërë deri në ditët e sotme.

“Është gjithmonë frymëzuese të dëgjosh rrëfimet e atyre që, me vizion dhe sakrificë, ndërtuan bazat e suksesit që po e gëzojmë sot. Gjatë vizitës që i bëri objektit të FFK-së, Enveri më përgëzoi për punën e deritashme, progresin e bërë dhe rezultatet e arritura nga futbolli i Kosovës në vitet e fundit. Ai shprehu kënaqësinë për zhvillimin dhe avancimin e Federatës, duke vlerësuar rrugëtimin e saj në arenën vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Ademi.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndër vite, presidenti Ademi i dhuroi Nuredinit një fanellë të veçantë të FFK-së si kujtim nga kjo vizitë.

Në fund, Ademi falënderoi Enver Nuredinin dhe bashkëkohanikët e tij për kontributin e dhënë në historinë e futbollit të Kosovës, duke theksuar se dyert e Federatës së Futbollit të Kosovës do të jenë gjithmonë të hapura për ata që kanë shkruar historinë e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *