Ademi viziton UBT-në: Një “smart city” brenda kryeqytetit tonë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka realizuar sot një vizitë në Kolegjin UBT në Prishtinë, institucion që ai e cilësoi si një “smart city” brenda kryeqytetit dhe qendër të rëndësishme të dijes dhe inovacionit.
Në këtë vizitë, Ademi u prit ngrohtësisht nga pronari dhe rektori i këtij institucioni arsimor, Edmond Hajrizi, me të cilin diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë mes FFK-së dhe UBT-së në projekte që lidhin sportin, edukimin dhe teknologjinë.
“Pashë projekte dhe zgjidhje që më bënë të ndjehem jashtëzakonisht mirë dhe krenar për atë që po ndërtohet në Kosovë”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale, duke theksuar se UBT jo vetëm që ndjek hapat e zhvillimit teknologjik, por edhe kontribuon në të në mënyrë aktive.
Sipas tij, ky bashkëpunim i mundshëm do t’i shërbejë gjeneratave të reja dhe zhvillimit të vendit në përgjithësi, duke u ndërtuar ura të reja mes sportit dhe arsimit modern.
Ademi shprehu bindjen se përmes një qasjeje të integruar, mund të krijohen projekte të përbashkëta që rrisin cilësinë dhe ndikimin e sportit në shoqëri.
Postimi i plotë i Ademit:
Sot pata kënaqësinë të vizitoj Kolegjin UBT në Prishtinë, një qendër jo vetëm e dijes dhe inovacionit, por që lirisht mund të quhet edhe një “smart city” brenda kryeqytetit tonë.
Ishte impresionuese të shoh nga afër një institucion që jo vetëm e ndjek hapin e zhvillimit teknologjik, por edhe kontribuon në të, me një program të sofistikuar që përfshin gjithçka, nga baza deri te formimi i shkencëtarëve në profile të ndryshme.
Pashë projekte dhe zgjidhje që më bënë të ndjehem jashtëzakonisht mirë dhe krenar për atë që po ndërtohet në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, ku u prita ngrohtësisht nga pronari dhe rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, u hapën shumë mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë me këtë institucion të rëndësishëm arsimor të vendit tonë.
Besoj fuqishëm se përmes këtij bashkëpunimi mund të lidhim sportin, edukimin dhe teknologjinë në projekte të përbashkëta që do t’i shërbejnë gjeneratave të reja dhe zhvillimit të vendit tonë.
