June 2026
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  
June 3, 2026

Foden mirëpret shpenzimet e mëdha të Manchester Cityt: Ishin të nevojshme

Ylli i Manchester Cityt, Phil Foden, ka reaguar pas merkatos së bujshme të klubit të tij, duke theksuar se përforcimet ishin të domosdoshme dhe do të ndihmojnë skuadrën të rikthehet në nivelin më të lartë pas sezonit të kaluar zhgënjyes.

City ka shpenzuar mbi 300 milionë euro që nga fillimi i vitit, duke sjellë emra të rinj në të gjitha repartet. Rayan Cherki dhe Tijjani Reijnders janë afruar për të forcuar mesfushën, ndërsa portieri James Trafford dhe mbrojtësi Rayan Ait-Nouri janë përforcime në prapavijë.

“Gjithmonë vjen një kohë kur çdo klub ka nevojë për ndryshime dhe freski. Këtë e kemi bërë në këtë afat kalimtar – dhe kjo mund të jetë vetëm një gjë e mirë,” u shpreh Foden.

“Lojtarët që i kemi sjellë janë me nivel të lartë dhe përshtaten menjëherë me grupin. Ata i sjellin skuadrës diçka që ndoshta na ka munguar. Tani kemi një skuadër shumë të mirë dhe të gjithë duam të kompensojmë për sezonin e kaluar.”

Foden po ashtu komentoi për rolin e tij në skuadër dhe mungesën e Kevin De Bruyne, duke thënë se nuk është aty për ta zëvendësuar plotësisht belgjin:

“Nuk jam këtu për të replikuar atë që bëri Kevin, sepse të gjithë e dimë sa i mirë ka qenë dhe çfarë ka dhënë për klubin. Thjesht po përpiqem të jap më të mirën dhe të rikthehem në nivelin ku u shpalla lojtari i vitit. Dua ta rifitoj atë formë.”

Sa i përket rikthimit të Rodrit nga lëndimi, Foden vlerësoi lart ndikimin e spanjollit në lojën e skuadrës:

“Do t’i duhet pak kohë për të rikuperuar plotësisht pas një lëndimi të gjatë, por të gjithë e dimë çfarë cilësie ka Rodri. Ai është i pandalshëm. Të luash përkrah tij është fantastike. Të jep siguri, nuk e humb topin dhe bën gjithçka në mënyrë perfekte.”

Manchester City e nis sezonin e ri me synimin për ta rikthyer titullin në Etihad dhe për të ndërtuar një skuadër edhe më konkurruese në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *