Ademi: Nuk do të ndalem derisa ta shoh futbollin e Kosovës aty ku i kam objektivat
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur kënaqësinë e tij për punën e bërë deri më tani në zhvillimin e futbollit në vend, duke theksuar se sukseset janë rezultat i përkushtimit të përbashkët.
Në një intervistë për RTV21, Ademi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe punës kolektive brenda FFK-së dhe me klubet vendore.
“Suksesi në futboll është i të gjithëve, nuk po i adresoj këto të arritura vetëm vetës, sepse të gjithë e kemi nga një pjesë këtu. Suksesi në futboll është i të gjithëve. Futbolli është lojë që luhet kolektiv, me një ekip prej 11 lojtarëve në fushë dhe 10 a 15 të tjerë në bankë. Nëse këto i gërshetojmë në një ekip kolektiv, sigurisht se rezultatet kanë me qenë edhe më të mëdha e më të suksesshme”, ka theksuar Ademi.
Ai është ndalur edhe te përparimi i ndjeshëm që ka bërë futbolli kosovar në vitet e fundit, duke thënë se tashmë Kosova është konkurrente serioze në futbollin ndërkombëtar.
“Kosova tash është konkurrente në futboll, dhe ndjehesh jashtëzakonisht mirë. Unë nuk do të kënaqem derisa të shoh aty ku i kam objektivat,” ka thënë Ademi.
Presidenti i FFK-së ka shtuar se për të, futbolli nuk është vetëm profesion, por pasion i madh që ka nisur që nga koha kur ishte vetë futbollist.
“Futbolli për mua, siç e dinë të gjithë, në federatë dhe që nga koha si futbollist, tashmë është pasion. Në këtë moment, më besoni, më është bërë varësi futbolli. Për mua gjëja më interesante është për të pasur rezultate dhe për t’i mbërri majat në kohën ku unë jam tash”, ka përfunduar Ademi.
