Prishtina mposht Sheriffin në “Fadil Vokrri”, por rrugëtimin evropian e vazhdon në Ligën e Konferencës
Prishtina ka arritur fitore motivuese ndaj skuadrës së mirënjohur moldave, Sheriff Tiraspol, por jo të mjaftueshme për të siguruar kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Evropës. Të enjten mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri”, bardhekaltrit triumfuan me rezultat 2:1, por u eliminuan për shkak të disavantazhit 4:0 nga ndeshja e parë në Moldavi.
Megjithatë, për skuadrën prishtinase nuk mbaron gjithçka këtu. Ajo do të vazhdojë garat në arenën evropiane, duke u zhvendosur në Ligën e Konferencës. Në raundin e dytë të kësaj gare, Prishtina do të përballet me Larnen nga Irlanda e Veriut. Takimi i parë luhet më 24 korrik në Irlandën e Veriut, ndërsa ai i kthimit më 31 korrik në Prishtinë.
Ndeshja ndaj Sheriffit nisi me vendosmëri nga ana e prishtinasve, të cilët që në minutat e para kërkuan një penallti, pas një ndërhyrjeje në Hamdi Namanin, por gjyqtari nuk e konsideroi të tillë. Më pas, rastet nuk munguan, por goli i parë erdhi në minutën e 51-të, kur mysafirët përfituan nga një gabim në mbrojtjen e Prishtinës dhe shënuan për 0:1 me anë të Artur Serobyan.
Reagimi i Prishtinës ishte i shpejtë. Vetëm pesë minuta më vonë, Hamdi Namani barazoi shifrat me një goditje të fuqishme me kokë, pas një krosimi nga këndi. Loja mori hov dhe në minutën e 65-të, talenti 16-vjeçar, Rin Ahmeti, shënoi golin e dytë për prishtinasit, pas një aksioni të mirë dhe një topi të kthyer nga mbrojtja moldave.
Përkundër fitores dhe paraqitjes shumë më të mirë krahasuar me ndeshjen e parë, Prishtina nuk arriti të përmbysë disavantazhin total dhe u detyrua të lëshojë garën e Ligës së Evropës. Rastin më të mirë për të shtuar golat e pati Valmir Veliu në minutat shtesë, por goditja e tij u ndal në vijën e portës.
Tash vëmendja e ekipit të Arsim Thaqit do të zhvendoset plotësisht në sfidën ndaj Larne në Ligën e Konferencës, ku Prishtina do të kërkojë të shfrytëzojë momentin pozitiv për të arritur tutje në këtë garë kontinentale.
