Ademi: Ibrahimovicin, Osmanin dhe Gashin i duam sa më shpejt te Kosova

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka konfirmuar se FFK-ja po punon për t’i bindur tre talentët e Bayern Munichut – Arijon Ibrahimovic, Erblin Osmani dhe Yll Gashi – që t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës.

I ftuar në podcastin SportCast të KosovaPress, Ademi tha se të tre futbollistëve u është shprehur interesi i FFK-së, por theksoi se vendimi përfundimtar u takon atyre.

“Rezultatet që kemi arritur, sidomos kualifikimi në finale, kanë bërë që Kosova të jetë adresa e parë për shumë futbollistë që luajnë në vende të ndryshme të Evropës. Ne e kemi për detyrë t’i takojmë të gjithë ata që i plotësojnë kriteret për të luajtur për Kosovën, por në fund është përzgjedhësi Franco Foda ai që vendos”, tha Ademi.

Ai veçoi tre talentët e Bayern Munichut, duke u uruar suksese pas kontratave të reja me klubin bavarez.

“Jo vetëm me Arijon Ibrahimovicin, por edhe me Erblin Osmanin dhe Yll Gashin jemi në kontakte. I uroj të tre për kontratat që kanë nënshkruar dhe e falënderoj Bayernin që i ka vlerësuar. Po më duket sikur kemi dy treshe – një te Bayerni dhe një te Hoffenheimi”, u shpreh kreu i FFK-së.

Ademi bëri të ditur se Federata ua ka bërë të qartë të tre lojtarëve dëshirën për t’i parë me fanellën e Kosovës.

“Ne ua kemi shprehur interesimin tonë. Tani është çështje e tyre të vendosin dhe shpresoj që ta bëjnë këtë me zemër”, theksoi ai.

Duke folur veçmas për Erblin Osmanin, Ademi theksoi se mesfushori i ri ka vizituar selinë e FFK-së së bashku me familjen e tij.

“Erblini ka qenë në Kosovë dhe ka vizituar ambientet tona bashkë me familjen. Jemi në kontakte shumë të mira me të. Është ende i ri dhe dëshirojmë më të mirën për të. Të treve u kemi thënë që fillimisht të fokusohen te klubi, të vazhdojnë te Bayerni dhe të fitojnë vendin e tyre. Besoj se e kanë cilësinë për të pasur sukses si te Bayerni, ashtu edhe te Kombëtarja e Kosovës”, përfundoi Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *