Ademi: Trumpin e falënderova për mbështetjen ndaj Kosovës, ai më tha disa fjalë interesante

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ndarë detaje nga takimi që zhvilloi me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë finales së Kupës së Botës 2026.

I ftuar në emisionin SportCast, Ademi tha se biseda nuk ishte e përqendruar te futbolli, por te Kosova, duke theksuar se takimi ishte një mundësi për ta falënderuar Trumpin për mbështetjen që SHBA-ja dhe ai personalisht i kanë dhënë shtetit të Kosovës.

“Gjithmonë them se vlerësohet Kosova, jo vetëm personi. Personi është ai që e përfaqëson shtetin ose federatën. Me presidentin Trump u përshëndeta dhe e falënderova për gjithçka që Amerika dhe ai personalisht kanë bërë për Kosovën. Ai tha disa fjalë që më vjen keq që nuk janë incizuar, sepse do të ishin shumë interesante. Prandaj, meqenëse nuk janë të incizuara nuk dua të flas”, u shpreh Ademi.

Kreu i FFK-së zbuloi gjithashtu se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e prezantoi para Trumpit me fjalë të mëdha, duke vlerësuar punën e tij në drejtimin e futbollit kosovar.

Sipas Ademit, Infantino i tha Trumpit se ai është një president federate që punon me përkushtim dhe zemër për zhvillimin e futbollit, vlerësim që, sipas tij, kreu i FIFA-s e ka shprehur edhe gjatë vizitave në Kosovë.

“Infantino i shpjegoi punën time dhe tha se jam një lider që punon me zemër dhe shumë për futbollin. Më pas presidenti Trump tha: ‘Në rregull, më vjen mirë që je lider i madh’. Kjo ishte e gjitha”, tregoi Ademi.

Në fund, presidenti i FFK-së theksoi se respekti që i tregohet në takime të nivelit më të lartë ndërkombëtar është në radhë të parë respekt për Kosovën, duke shtuar se vendi po fiton gjithnjë e më shumë vlerësim dhe kredibilitet në arenën ndërkombëtare përmes sportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *