Ademi: Edon Zhegrova e meriton të luajë te Juventusi, ka vend në çdo skuadër të Evropës
Edon ZHEGROVA of Lille Olympique Sporting Club (LOSC) during the Ligue 1 Uber Eats match between Reims and Lille at Stade Auguste Delaune on May 6, 2023 in Reims, France. (Photo by Hugo Pfeiffer/Icon Sport via Getty Images)
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur besim të plotë në cilësitë e yllit kosovar Edon Zhegrova, duke theksuar se ai është një nga talentet më të mëdhenj të futbollit evropian dhe se e meriton një rol më të rëndësishëm te Juventusi.
Në një intervistë për emisionin “SportCast” të KosovaPressit, Ademi tha se fakti që Zhegrova nuk është pjesë e formacionit të parë lidhet më shumë me zgjedhjet e trajnerit dhe mënyrën e lojës së ekipit sesa me mungesën e cilësisë së futbollistit.
“Edon Zhegrova është një talent i jashtëzakonshëm. Nënkuptohet se është një prej top-talenteve dhe futbollistëve më të njohur në botë. Anipse nuk është në formacionin e parë të Juventusit, krejt varet nga trajneri dhe formati i lojës. Por mendoj se e meriton, sepse e ka talentin dhe sigurisht se është potencial dhe aset për kombëtaren tonë”, u shpreh Ademi.
Kreu i FFK-së shtoi se beson se koha e Zhegrovës do të vijë dhe se ai do të tregojë edhe një herë nivelin e tij të lartë.
“Ne i dëshirojmë të gjitha të mirat dhe besojmë që i vjen koha dhe shpërthen, ashtu siç ka shpërthyer edhe më parë. Unë e njoh karakterin e Edonit dhe ai është i bindur në fuqinë dhe kualitetin e tij. E ka një mendje që duhet t’i tregojë Juventusit se e meriton të luajë”, deklaroi Ademi.
Në fund, presidenti i FFK-së vlerësoi se Zhegrova ka cilësi për të luajtur në çdo kampionat elitar të kontinentit.
“Edoni ka vend në cilëndo skuadër të Evropës, në cilëndo ligë”, përfundoi Ademi.
