Bayern Munich ka pësuar humbjen e parë këtë sezon, pasi u mposht 2-1 nga Lille në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht mungesave të shumta për shkak të lëndimeve, bavarezët arritën të kalonin të parët në epërsi, por Lille reagoi në pjesën e dytë, duke përmbysur rezultatin dhe duke i shkaktuar Bayernit një disfatë të hidhur.
Trajneri Vincent Kompany nuk e fshehu zhgënjimin pas ndeshjes, por theksoi se kjo humbje nuk duhet të ndikojë në ambiciet e skuadrës për vazhdimin e garës.
“Një humbje gjithmonë të dhemb, por fati i këtij edicioni të Ligës së Kampionëve nuk vendoset sot. Nuk po përpiqem t’i zbukuroj gjërat, por Champions League nuk vendoset në nëntor”, deklaroi Kompany.
Tekniku belg përmendi edhe Paris Saint-Germainin si shembull, duke kujtuar se klubi francez nuk kishte përfunduar asnjëherë mes tetë skuadrave më të mira në fazën e ligës sipas formatit të ri, por më pas arriti ta fitonte trofeun.
Kompany pranoi se do të ishte më mirë që Bayerni të shmangte dy ndeshjet shtesë të fazës së play-off-it, por shprehu besimin te potenciali i skuadrës për të triumfuar ndaj çdo kundërshtari.
Aktualisht, Bayern Munich renditet në pozitën e 15-të me tetë pikë, ndërsa synimi mbetet i pandryshuar: fitimi i trofeut të shtatë të Ligës së Kampionëve.