Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka tërhequr vëmendjen jo vetëm me paraqitjen në fushë, por edhe me një dedikim mjaft romantik pas fitores së Fenerbahçes ndaj Shakhtar Donetskut.
Në ndeshjen e javës së pestë të Ligës së Kampionëve, Fenerbahçe triumfoi 1:0 ndaj skuadrës së drejtuar nga Arda Turan, falë golit të realizuar nga Muriqi.
Përveç golit vendimtar, sulmuesi dardan u shpall edhe lojtari i ndeshjes, duke marrë çmimin për paraqitjen e tij.
MURIQI MBAJTI PREMTIMIN NDAJ BASHKËSHORTES
Pas ndeshjes, Muriqi zbuloi se çmimin e kishte premtuar t’ia dhuronte bashkëshortes së tij, e cila kishte qenë kurioze të dinte se si fitohet ky trofe.
“Gruaja ime nuk kupton shumë nga futbolli, por që kur u kualifikuam në Ligën e Kampionëve, vazhdimisht më pyeste se për çfarë jepej ky çmim. I tregova se i jepet lojtarit të ndeshjes, ndërsa ajo më tha se dëshironte ta kishte një të tillë në shtëpi. Dashuria ime, ky çmim është për ty. Do ta marr në shtëpi me shumë kënaqësi” u shpreh Muriqi.
Dedikimi i sinqertë i sulmuesit kosovar u prit me komente të shumta pozitive nga tifozët, të cilët vlerësuan gjestin e tij ndaj bashkëshortes.
Fjalët e Muriqit morën vëmendje të veçantë në rrjetet sociale, ku tifozët e cilësuan si një moment të veçantë dhe plot dashuri.