Sulmuesi 18-vjeçar po kalon një sezon fantastik në futbollin gjerman. Me 20 gola në 21 ndeshje, talenti kosovar po dërgon sinjale të qarta se mund të jetë një alternativë e rëndësishme për përfaqësuesen në të ardhmen.
Enis Rexhepi po vazhdon të konfirmojë potencialin e tij të madh në futbollin gjerman. Sulmuesi 18-vjeçar i Stuttgartit U19 po kalon një periudhë të jashtëzakonshme, duke shënuar rregullisht dhe duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij.
Pak ditë pas përfundimit të grumbullimit me Kombëtaren e Kosovës, Rexhepi u rikthye te klubi i tij dhe vazhdoi aty ku e kishte lënë. Ai realizoi dy gola për Stuttgartin U19 dhe të mërkurën shënoi edhe një herë në fitoren 3:0 ndaj Interit U19, në kuadër të UEFA Youth League.
Me këtë realizim, Rexhepi e çoi në shtatë numrin e golave në garën evropiane për të rinj. Ndërkohë, statistikat e tij në këtë sezon janë mbresëlënëse: 20 gola dhe dy asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat.
Për golin ndaj Interit ka shkruar edhe vetë klubi gjerman, duke vlerësuar lëvizjen dhe finalizimin e sulmuesit kosovar. Ndërsa gazeta e njohur gjermane “Bild” i ka kushtuar vëmendje edhe festimit të tij, të cilin e bëri në stilin e Cristiano Ronaldos.
Rexhepi ishte pjesë e grumbullimit të fundit të Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës. Ai qëndroi me ekipin nga dita e parë deri në përfundim të grumbullimit, por nuk pati mundësi të debutonte në këto dy takime.
Megjithatë, paraqitjet e tij në nivel klubesh po e bëjnë gjithnjë e më interesant për të ardhmen e përfaqësueses. Përzgjedhësi Franco Foda mund ta ketë në konsideratë për ndeshjet e para të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2028, që nisin në marsin e vitit të ardhshëm.
Aktualisht, sulmi i Kosovës udhëhiqet nga Vedat Muriqi, golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses me 33 gola në 73 paraqitje. Një rol të rëndësishëm ka fituar edhe Fisnik Asllani i Hoffenheimit, ndërsa Albion Rrahmani është pjesë e Venezias në Serie A.
Por Rexhepi nuk është talenti i vetëm i ri që mund t’i shtohet Kosovës në vitet e ardhshme. Në listën e lojtarëve premtues janë edhe Lutfi Dalipi, i cili vendosi të përfaqësojë Kosovën pasi ishte paraqitur për grupmoshat e Zvicrës, si dhe Arijon Ibrahimoviq, sulmuesi i Bayern Munichut i huazuar te Augsburgu.
Një tjetër emër që po ndiqet është Yll Gashi, i cili po shkëlqen me ekipin U19 të Bayern Munichut. Edhe ai të mërkurën shënoi në fitoren 3:2 ndaj Lillet në UEFA Youth League. Në këtë takim u paraqit edhe Erblin Osmani, i cili tashmë ka debutuar me Kosovën A.
Kosova do t’i mësojë më 6 dhjetor kundërshtarët për kualifikimet e Euro 2028. Deri atëherë, paraqitjet e lojtarëve të rinj si Rexhepi dhe Gashi janë një sinjal pozitiv për konkurrencën dhe alternativat që mund të ketë kombëtarja jonë në të ardhmen.