Komiteti Disiplinor nuk i mori parasysh ankesat e Barcelonës dhe vendosi ta dënojë mesfushorin me dy ndeshje pezullim pas kartonit të kuq në sfidën ndaj Villarrealit.
Barcelona do të jetë pa një nga lojtarët e rëndësishëm të mesfushës në dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit. Komiteti Disiplinor ka vendosur ta dënojë Fermín Lópezin me dy ndeshje pezullim, pas kartonit të kuq që mori në përballjen e së dielës ndaj Villarrealit.
Klubi katalanas kishte paraqitur ankesë ndaj vendimit për përjashtimin e lojtarit, por organi disiplinor nuk i pranoi pretendimet e Barcelonës.
Fermín u ndëshkua me karton të kuq edhe pse në atë moment ishte zëvendësuar dhe ndodhej në stol. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor, Alejandro Hernández Hernández, mesfushori ishte ngritur nga stoli dhe i ishte drejtuar gjyqtarit të katërt në distancë të afërt, duke protestuar me zë të lartë dhe duke përsëritur disa herë shprehjen: “¡No me jodas!”.
Komiteti Disiplinor e cilësoi veprimin si protestë ndaj gjyqtarëve, në bazë të nenit 127 të Kodit Disiplinor, i cili parasheh pezullim prej dy deri në tri ndeshje ose deri në një muaj.
Në këtë rast, është vendosur masa minimale prej dy ndeshjesh pezullim.
Kështu, Fermín López do të mungojë në dy takimet e ardhshme të Barcelonës në kampionat, përfshirë edhe përballjen e rëndësishme ndaj Atlético Madridit. Një mungesë e ndjeshme për trajnerin e Barcelonës, i cili nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit në këtë sfidë.