Ish-sulmuesi i Anglisë, Raheem Sterling, është dënuar me 12 muaj burg për vozitje të rrezikshme dhe posedim të oksidit të azotit. Megjithatë, ai nuk do ta vuajë dënimin në burg, përveç nëse shkel kushtet e vendosura nga gjykata gjatë periudhës 18-mujore të pezullimit.
Raheem Sterling është dënuar nga Gjykata e Magjistraturës në Basingstoke, pasi kishte pranuar fajësinë për vozitje të rrezikshme, posedim të oksidit të azotit për inhalim të palejuar dhe mosdhënie të mostrës për analiza.
Gjykata i shqiptoi futbollistit 31-vjeçar 12 muaj burgim, me kusht që ky dënim të mos vuhet në burg gjatë 18 muajve të ardhshëm, përveç nëse ai shkel kushtet e pezullimit.
Për mosdhënien e mostrës së gjakut për analiza, Sterling u dënua edhe me dy muaj burgim, gjithashtu me kusht dhe për të njëjtën periudhë 18-mujore. Ky dënim do të vuhet njëkohësisht me atë kryesor.
Përveç kësaj, ish-futbollisti i Anglisë është ndaluar të drejtojë automjetin për dy vjet dhe është obliguar të kryejë 100 orë punë pa pagesë në komunitet. Ai gjithashtu duhet të paguajë 187 funte shtesë për viktimat dhe 85 funte shpenzime procedurale.
Gjatë seancës, gjykatësja Kirsty Allman e cilësoi vendimin e Sterlingut për të drejtuar automjetin pa gjumë të mjaftueshëm dhe nën ndikimin e oksidit të azotit si një veprim krejtësisht egoist, duke theksuar rrezikun serioz që ai u kishte shkaktuar përdoruesve të tjerë të rrugës.
Ngjarja kishte ndodhur më 28 maj, kur Sterling ishte përfshirë në një aksident me Lamborghini-n e tij pranë autostradës M3, në Hampshire. Kur policia kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, futbollisti ishte gjetur me dy bombola të oksidit të azotit në prehër.
Dëshmitarët kishin raportuar se e kishin parë shoferin duke thithur nga një balonë e bardhë, ndërsa Lamborghini lëvizte në mënyrë të rrezikshme dhe ndërronte korsitë në autostradë.
Në mbrojtje të futbollistit, avokati Jason Bartfeld kishte deklaruar se Sterling i kishte kuptuar mekanizmat e pashëndetshëm me të cilët po përballonte një periudhë të vështirë në karrierën e tij dhe se kishte ndërmarrë hapa për t’i tejkaluar ato.
Sterling, i cili aktualisht është pa klub, ka zhvilluar 82 ndeshje me përfaqësuesen e Anglisë. Paraqitjen e fundit me kombëtaren e kishte në Kampionatin Botëror të vitit 2022 në Katar.
Burimi: BBC